Prokurori që arrestoi Fullanin, premton arrestime të tjera për ndeshjen Flamurtari-Teuta
Pas akuzave për kurdisje të rezultateve të tre ndeshjeve në ligën shqiptare të futbollit, është vënë në lëvizje edhe kryeprokurori i Vlorës, mbi njërën prej tyre. Ai paralajmëron arrestime dhe marrje në pyetje të lojtarëve dhe skuadrave të përfshira në skandalin e ndeshjes Flamurtari-Teuta, që ka bërë bujë edhe në mediat ndërkombëtare. Kryeprokurori Ramadan Troci është i njohur pasi vetëm pak kohë më parë hetoi një çështje shumë të rëndësishme siç ishte ajo e Bankës së Shqipërisë, ku edhe urdhëroi arrestimin e ish-guvernatorit Ardian Fullani. Pas transferimit në Vlorë, prokurori Troci ka nisur hetimet për ndeshjen e futbollit mes Teutës e Flamurtarit, e vlefshme për javën e 19-të në Kategorinë Superiore, që përfundoi 2-1 në favor të vendasve. Por goli i shënuar në sekondat e fundit, është kontestuar nga vetë vlonjatët që dyshuan se ndeshja mund të ishte e manipuluar. . Pas asaj që ndodhi të shtunën e kaluar në Vlorë, opinioni sportiv në qytetin bregdetar dhe veçanërisht drejtuesit e Flamurtarit kanë besim se Prokuroria mund ta çojë deri në fund zbardhjen e kësaj çështjeje. Gjashtë kompanive më të mëdha të basteve në vendin tonë, si dhe disa të tjerave që operojnë jashtë Shqipërisë, u është dërguar dje një letër zyrtare nga organi i akuzës në Vlorë, ku kërkohet informacion i detajuar se sa është kuotuar ndeshja në fjalë dhe shumat e paràve që janë luajtur nga bastexhinjtë. Troci paralajmëroj se do të merren në pyetje edhe drejtuesit e të dy klubeve: Flamurtarit dhe Teutës, por ndoshta edhe futbollistët.
KOHA JONË SONDAZH

