Pse i frikësohet Franca Shqipërisë?
“Nëse kohë më parë nuk e kemi njohur Shqipërinë, pas humbjes ndaj tyre ka ndryshuar gjithçka dhe e vlerësojmë në maksimum atë Kombëtare’, kështu ka thënë gazetari i “L’Equipe”, Yohann Hautbois
Në një intervistë për Supersport, gazetari i prestigjozes franceze “L’Equipe”, Yohann Hautbois, i cili ndodhet në Bad Waltersdorf për të ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare pranoi të jepte mendimin e tij për kuqezinjtë, që do të jenë kundërshtarë me Francën në Grupin A në Euro 2016.
Sipas tij, Shqipëria në opinionin francez, nuk është më një skuadër e vogël, por një faktor i rëndësishëm në futbollin Europian që duhet marrë seriozisht në konsideratë.
“Quhem Yohann Hautbois, jam gazetar i L’Equipe dhe kam ardhur këtu ne Austri për të realizuar një reportazh për kombëtaren shqiptare. Para dy ndeshjeve miqësore, ku barazuam në Francë dhe humbëm në Shqipëri, nuk e njihnim Kombëtaren Shqiptare dhe nuk i kushtonim rëndësi, ndërsa sot e shohim ndryshe këtë skuadër. Nuk është më një ekip i vogël, por një skuadër e aftë madje të mposhttë Francën dhe ta vërë në vështirësi serioze, ndaj duhet vlerësuar në maksimum”, ka thënë Hautbois.
“Unë jam francez dhe besoj se Franca ka mësuar nga gabimet e saj. Takimi i kaluar ka qenë thjesht një miqësore, ndaj mendoj se gabimet që skuadra bëri në Shqipëri nuk do t’i përsërisë në shtëpi. Në Kampionatin Europian do të jetë tjetër ndeshje. Franca luan në shtëpinë e saj, ku do të jetë më e përqendruar ndaj Shqipërisë, sepse tani e njeh më mirë dhe sigurisht e ka analizuar edhe lojën e saj”, shtoi gazetari francez.
KOHA JONË SONDAZH

