
Përballja mes PSG-së dhe Barcelonës premton spektakël, jo vetëm për faktin se bëhet fjalë për dy prej skuadrave më në formë të momentit, por edhe për duelin mes dy yjeve të futbollit botëror: Ousmane Dembélé dhe Lamine Yamal.
Në stadiumin “Parc des Princes”, vëmendja do të jetë te dy futbollistët që kanë spikatur në fillimin e sezonit dhe që konsiderohen ndër pretendentët kryesorë për fitimin e ardhshëm të Topit të Artë.
Shifrat tregojnë një garë interesante mes dy sulmuesve. Dembele ka regjistruar 13 paraqitje me klubin dhe kombëtaren, duke realizuar 6 gola dhe duke dhënë 6 asistime. Francezi mbetet një prej pikave më të rëndësishme të repartit ofensiv të PSG-së dhe përfaqësueses së Francës.
Megjithatë, statistikat e Lamine Yamal janë edhe më mbresëlënëse. Talenti i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle ka zhvilluar 15 ndeshje, në të cilat ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë 11 asistime. Shifra që dëshmojnë ndikimin e tij në lojën e katalanasve dhe rritjen e vazhdueshme të një prej talenteve më të mëdha të futbollit aktual.
Përtej objektivit për të siguruar një rezultat pozitiv në Champions League, kjo përballje do të jetë edhe një mundësi për të dy lojtarët që të konfirmojnë statusin e tyre mes yjeve të futbollit botëror.
90 minuta mund të bëjnë diferencën jo vetëm në garën europiane, por edhe në rrugëtimin drejt Topit të Artë. Dembélé kërkon të tregojë vlerat e tij përballë kampionëve të Spanjës, ndërsa Yamal synon të vazhdojë serinë e paraqitjeve mbresëlënëse.
