PSG fiton për herë të dytë radhazi Champions League, mund me penallti Arsenalin
Paris Saint-Germain është shpallur kampion i UEFA Champions League për sezonin 2025/2026, pasi mposhti Arsenal me rezultatin 4-3 pas goditjeve të penalltive, në një finale emocionuese të zhvilluar në “Puskás Aréna” të Budapestit. Koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 1-1.
Arsenal kaloi në avantazh që në minutën e 5-të me Kai Havertz, i cili përfitoi pas një devijimi të topit dhe finalizoi me saktësi brenda zonës për të mposhtur portierin Safonov. Londinezët mbajtën epërsinë në pjesën e parë, ndërsa portieri David Raya u bë protagonist me disa ndërhyrje vendimtare, përfshirë një pritje ndaj Ruiz në minutat shtesë.
PSG reagoi në fraksionin e dytë dhe në minutën e 70-të fitoi një penallti pas ndërhyrjes së Mosquera ndaj Khvicha Kvaratskhelia. Nga pika e bardhë, Ousmane Dembélé nuk gaboi, duke barazuar shifrat në 1-1.
Francezët iu afruan disa herë golit të fitores, me Kvaratskhelia që goditi shtyllën në minutën e 77-të dhe Vitinha që dërgoi topin ngjitur me traversën në fundin e kohës së rregullt. Edhe Arsenal pati rastet e veta, por pa arritur të rikthejë avantazhin.
Pas 120 minutash lojë, fituesi u përcaktua nga penalltitë, ku PSG u tregua më i saktë dhe triumfoi 4-3, duke mbrojtur trofeun europian dhe konfirmuar dominimin në futbollin kontinental.
KOHA JONË SONDAZH

