PSG kërkon Messin, “ndizet” dueli me Barcelonën para dy super dueleve
Kur jemi vetëm dy javë nga sfida e parë e 1/8-ve në Champions League mes Barcelonës dhe Paris Saint-Germain në fushën e lojës, edhe jashtë fushës kanë gjëra për të diskutuar. Trajneri Ronald Koeman kanë akuzuar palën franceze se këto zëra janë të panevojshme dhe nuk respektojnë klubin e tij.
Ftesa e PSG-së për Lionel Messin
Gjithçka fillon me dëshirën e PSG-së për të nënshkruar me Lionel Messin. Që kur u bë publike pakënaqësia e tij në “Camp Nou” verën e fundit, skuadra franceze shtoi interesin për sulmuesin argjentinas. Neymar ishte i pari që publikisht e joshi për të shkuar në “Parc des Princes”, ndërkohë që më pas edhe ardhja në krye të skuadrës e Pochettinos kanë bërë që ai të përfundojë në listën e transferimeve të tij. “Lojtarë si Messi do të ishin gjithmonë në listën e PSG. Do të ishte kënaqësi ta trajnoja atë, ka thënë strategu në daljet e tij publike. Përveç kësaj, Le Parisien raportoi se Pochettino e ka vendosur bashkatdhetarin e tij si përparësi në merkaton e ardhshme. Ndërkohë që së fundmi edhe një koment i Di Marias ka shtuar edhe më shumë zërat: “Ka shanse të mëdha që Messi të vijë te PSG”.
Rivalitet me histori
Ky do të jetë një kapitull i ri, në një rivalitet të gjatë mes këtyre klubeve. Në fushë ka pasur momente të paharrueshme, siç ishte përmbysja nga 0-4 e ndeshjes së parë në 6-1në duelin e kthimit nga Barcelona. Mes të dyja klubeve raportet nuk janë aspak të mira që pas transferimit të Neymar. Një nga aspektet negative këtë sezon, është fakti që nuk do të ketë asnjë tifozë në të dyja sfidat, që do të luhen me dyer të mbyllura. /Rozalb Lika-Koha Jone/