PSG sfidon dominimin anglez në Europë, por ka një statistikë mbresëlënëse
Për të pushtuar Europën dhe për të ngritur trofeun e Champions League, Paris Saint-Germain duket se ka ndërtuar identitetin e tij mbi triumfet ndaj skuadrave të Premier League. Në dy sezonet e fundit, gjigantët francezë kanë kthyer disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit anglez në viktima të rrugëtimit të tyre europian.
Nga Manchester City te Liverpool, Arsenal, Aston Villa, Tottenham Hotspur dhe Chelsea, pothuajse çdo përfaqësuese e elitës angleze është përballur me forcën e skuadrës së drejtuar nga Luis Enrique.
Gjithçka nisi në sezonin 2024/25, kur PSG realizoi një përmbysje spektakolare ndaj Manchester City në “Parc des Princes”. Pasi ishte në disavantazh 2-0 ndaj skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola, kampionët francezë përmbysën gjithçka duke fituar 4-2, një sukses që konsiderohet si pika e kthesës në rrugëtimin drejt bindjes se mund të shpalleshin kampionë të Europës.
Më pas erdhi përballja me Liverpoolin, ku PSG tregoi pjekuri të plotë sportive. Edhe pse humbi 1-0 në Paris pas një ndeshjeje të dominuar, skuadra franceze reagoi në “Anfield”, fitoi minimalisht dhe siguroi kualifikiminpas penalltive falë paraqitjes vendimtare të portierit Gianluigi Donnarumma.
Në vazhdim, edhe Aston Villa nuk arriti të frenonte forcën e parizienëve, ndërsa një nga momentet kulmore ishte gjysmëfinalja ndaj Arsenalit në Champions League, ku PSG triumfoi në të dyja sfidat dhe siguroi biletën për në finale, përpara se të fitonte trofeun europian.
Edhe sezoni 2025/26 ka ndjekur pothuajse të njëjtin skenar. PSG vazhdoi të dominojë klubet angleze, duke regjistruar fitore spektakolare, përfshirë suksesin 5-3 ndaj Tottenham dhe duele të fituara ndaj Chelsea e Liverpool. Një nga pak pengesat mbetet humbja 3-0 në finalen e Kupës së Botës për Klube ndaj Chelsea të drejtuar nga Enzo Maresca.
Tashmë, fati i vendos sërish përballë Arsenalin dhe PSG-në, në një duel që premton jo vetëm spektakël, por edhe një mundësi hakmarrjeje për anglezët, të cilët kërkojnë të rikthejnë krenarinë e futbollit të Premier League përballë dominimit francez.
KOHA JONË SONDAZH

