PSG shkon si favorite në finalen e Budapestit, por Arsenalit është i frikshëm me … kokë
Finalja e madhe e Champions League do të jetë një përballje spektakolare mes Paris Saint-Germain dhe Arsenal, një duel që sjell përballë jo vetëm Francën me Anglinë, por edhe dy nga qytetet më ikonike të Europës: Parisin dhe Londrën.
Në stol do të përplasen dy trajnerë spanjollë me filozofi të ndryshme, por me të njëjtin objektiv. Nga njëra anë është Luis Enrique, tashmë i konsoliduar në elitën europiane, ndërsa nga ana tjetër Mikel Arteta, që vazhdon ngjitjen mes trajnerëve më të vlerësuar të futbollit modern.
Për PSG-në kjo do të jetë finalja e tretë në histori dhe e dyta radhazi, pasi sezonin e kaluar triumfoi bindshëm ndaj Interit. Ndërkohë, Arsenali rikthehet në finalen e Champions League pas shumë vitesh, me kujtimin e hidhur të humbjes ndaj Barcelona në sezonin 2005-06 në “Stade de France”.
Favorit në letrat e finales së 30 majit në Budapest konsiderohet PSG. Luis Enrique ka dëshmuar se di të menaxhojë ndeshje të nivelit më të lartë, ndërsa skuadra pariziene tregoi edhe ndaj Bayern Munich se mund të fitojë si përmes lojës spektakolare në sulm, ashtu edhe me disiplinë taktike.
Mesfusha e ndërtuar rreth Vitinha dhe Joao Neves i jep ekuilibër ekipit francez, ndërsa eksperienca e Marquinhos dhe forca fizike e Ëillian Pacho ofrojnë siguri në repartin defensiv. Në fazën ofensive, treshja Desire Doue-Ousmane Dembele-Khvicha Kvaratskhelia konsiderohet një nga më të rrezikshmet në Europë.
Megjithatë, finalet e Champions League kanë treguar shpesh se favoritët nuk e kanë gjithmonë të lehtë. Arsenali mbetet një skuadër shumë e rrezikshme, veçanërisht në goditjet standarde, të cilat ekipi londinez i punon me detaje dhe i shfrytëzon shpesh në momentet vendimtare.
PSG mbërrin në Budapest si kampioni në fuqi dhe favoriti absolut për trofeun, por pikërisht ky status mund të shndërrohet në presionin më të madh për skuadrën franceze në natën më të rëndësishme të sezonit.
KOHA JONË SONDAZH

