
Milani triumfoi 3-2 ndaj Atalantës, por Adrien Rabiot nuk e fshehu pakënaqësinë për paraqitjen e skuadrës në pjesën e dytë. Mesfushori francez theksoi se problemi nuk është fizik, por lidhet me mentalitetin dhe humbjen e përqendrimit gjatë ndeshjes.
Milani arriti të marrë tri pikë të rëndësishme ndaj Atalantës, duke fituar me rezultatin 3-2, por paraqitja e kuqezinjve, veçanërisht në pjesën e dytë, nuk e ka bindur Adrien Rabiot.
Mesfushori francez, pavarësisht rezultatit pozitiv, u shfaq i pakënaqur me mënyrën se si skuadra e menaxhoi avantazhin, duke theksuar se një pjesë e parë e mirë humbet vlerën nëse nuk shoqërohet me të njëjtin nivel edhe pas pushimit.
“Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë. Më pas, në mënyrë të çuditshme, në pjesën e dytë humbëm kontrollin e ndeshjes. Jam i zemëruar, sepse nëse luajmë kështu në pjesën e dytë, nuk na shërben asgjë fakti që kemi bërë një pjesë të parë të mirë. Fatmirësisht fituam në fund, por nuk e di nëse e merituam. Nuk mund të luajmë në atë mënyrë në pjesën e parë dhe më pas të paraqitemi kështu”, deklaroi Rabiot.
Rabiot përjashtoi mundësinë që vështirësitë të lidhen me përgatitjen fizike, duke vënë theksin te aspekti psikologjik dhe mungesa e përqendrimit në momente të caktuara të lojës.
“Nuk është çështje fizike, por mendore. Ishim në avantazh me tre gola dhe më pas ulëm vëmendjen dhe përqendrimin. Kur përballesh me një skuadër cilësore, rrezikon ta lejosh të barazojë dhe madje të humbasësh ndeshjen”, u shpreh francezi.
