Rafa Benitez: Titulli kampion? Reali dhe Barcelona, në garë
Barcelona mund të shihet favorite, por ka një rival historik, shekullor me të cilin edhe këtë sezon duket se do të diskutojë titullin kampion. Rafael Benitez, trajneri spanjoll që shumë vite më parë riktheu titullin në Valencia, synon ta bëjë një gjë të tillë edhe me Realin e Madridit që nuk e shijon suksesin në kampionat që prej tre sezonesh. I lindur në afërsi të Madridit, Rafael Benitez ndihet një madrilen i vërtetë në stolin e Realit. Benitez ka një konstatim që ndoshta tifozëve “Los Blancos” do t’u tingëllojë ëmbël. – “Luis Enrique mendon se janë favoritë? Normale që ai mendon kështu. Unë mendoj gjithashtu që Reali i Madridit është një ekip i madh dhe do të luftojë për titullin kampion”. Emocionet e ndeshjes së parë do të jenë të pranishme dhe Rafael Benitez e pranon që do të jetë një moment të cilin nuk do ta harrojë asnjëherë. Në vijim, ai shton se nuk ka marrë ende një vendim për formacionin që do të hedhë në fushë për transfertën me Gijon, ndërsa për repartin e sulmit nuk ka një skemë të saktë. “Cristiano mund të luajë edhe si numër 9, por në sulm lojtarët janë të lirë të shprehin talentin e tyre. Nëse do të jetë e nevojshme, Cristiano do të luajë në majën e sulmit. Rëndësi ka që ai të gjendet në pozita për të shënuar gola. Jam i kënaqur me skuadrën që kam në dispozicion. Klubi ka punuar për të marrë lojtarët më të mirë të botës dhe detyra ime është që t’i rris sa më shumë profesionalisht”. Ish- trajneri i Napolit nuk pranon të bëjë një pasqyrë të gjendjes aktuale të skuadrës, pasi sipas tij, do të duhet kohë për të parë fytyrën e vërtetë të grupit. – “Në Madrid kërkojnë çdo trofe, prandaj duhet të fitojmë që në ndeshjen e parë, ashtu siç duhet të synojmë suksesin në çdo ndeshje. La Liga është bërë më e vështirë me kalimin e viteve, sepse tashmë duhen më shumë pikë për të fituar kampionatin, por ne duhet të ruajmë përherë një nivel shumë të lartë”. Rafa Benitez bën një koment edhe për rivalitetin me Barcelonën pa krijuar polemika. – “Nuk është aspak e çuditshme që të kërkojmë titullin. Ne jemi një klub me shumë trofe dhe jemi të aftë për të fituar po aq sa ata. Ne në Madrid duhet të luajmë gjithmonë për të fituar,” thekson trajneri i Realit.
Spanjë
La Liga – Java e parë
Malaga-Sevilja 0-0
Sot
18:30 D. La Coruna – R. Sociedad
18:30 Espanyol – Getafe
20:30 Atletico M. – Las Palmas
22:30 Rayo V. – Valencia
Nesër
18:30 A. Bilbao – Barcelona
20:30 Sporting G. – Real Madrid
22:00 Levante – Celta Vigo
22:30 Real Betis – Vilarreal
KOHA JONË SONDAZH

