Rafa Leao thyen heshtjen për të ardhmen: Mendimi im është vetëm fusha!
Rafa Leao ka reaguar publikisht përballë zërave të merkatos që e kanë vendosur në qendër të spekulimeve gjatë javëve të fundit. Sulmuesi portugez i Milanit ka zgjedhur rrjetet sociale për të bërë të qartë se aktualisht është i fokusuar te futbolli dhe te paraqitjet me skuadrën, duke mohuar në mënyrë indirekte çdo informacion që nuk vjen nga rrethi i tij i autorizuar.
“Mendimi im i vetëm është fusha. Jam i përqendruar të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe çdo stërvitje. Vetëm për të shmangur çdo lloj spekulimi dhe lajmesh të pavërteta, ritheksoj se prej kohësh ia kam besuar menaxhimin e të gjitha interesave të mia ekskluzivisht familjes dhe avokatëve të mi. Askush tjetër nuk është i autorizuar të flasë në emrin tim. Mendjen tek objektivat e ardhshëm”, shkroi Leao.
Deklarata e tij vjen në një moment kur e ardhmja në Milano është bërë sërish pjesë e diskutimeve. Në veçanti, për portugezin ka shfaqur interes Galatasaray, por deri më tani ofertat e klubit turk nuk kanë bindur Milanin dhe as vetë lojtarin.
Leao, i cili ka qenë një nga protagonistët kryesorë të Milanit në vitet e fundit, kishte lënë të kuptohej vetëm pak kohë më parë se aventura e tij në Milano mund të ishte drejt fundit. Megjithatë, reagimi i fundit nuk jep asnjë sinjal të qartë për një largim të afërt.
KOHA JONË SONDAZH

