Ramadani drejt largimit nga Lecce, përfundon në listën e dëshirave të Torinos
Pas një sezoni të shkëlqyer në Serie A, e ardhmja e Ylber Ramadani mund të jetë larg Lecces. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve, me Torino që po shfaqet si një nga kandidatët më seriozë për transferimin e tij.
Ramadani zhvilloi një sezon të nivelit të lartë, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën e Lecces dhe një faktor kyç në arritjen e objektivit madhor të klubit, mbijetesën në elitën e futbollit italian. Mesfushori shqiptar spikati edhe në aspektin fizik, duke u renditur mes lojtarëve me më shumë kilometra të përshkruara gjatë sezonit.
Paraqitjet e tij bindëse shtynë drejtuesit e Lecces të aktivizonin opsionin për zgjatjen e kontratës edhe për një sezon tjetër. Megjithatë, kjo nuk garanton qëndrimin e tij në klub.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Torino e konsideron Ramadanin profilin ideal për të forcuar repartin e mesfushës. Klubi torinez vlerëson aftësinë e tij për të mbuluar hapësira të mëdha në fushë, intensitetin në lojë dhe kontributin në fazat mbrojtëse e sulmuese.
Interesi për futbollistin kuqezi nuk vjen vetëm nga Serie A. Raportet flasin edhe për vëmendje nga Bundesliga, megjithëse emri i klubit gjerman nuk është bërë ende publik.
Pavarësisht zërave të merkatos, Ramadani ndihet i vlerësuar te Lecce, ku ka gjetur vazhdimisht besimin e stafit teknik dhe drejtuesve të klubit. Megjithatë, situata kontraktuale mund të ndikojë në vendimet e ardhshme.
Mesfushori shqiptar hyn në vitin e fundit të marrëveshjes së tij me Leccen, çka mund ta shtyjë klubin të shqyrtojë ofertat që do të mbërrijnë gjatë merkatos. Në të kundërt, rreziku për ta humbur lojtarin me parametër zero në fund të sezonit të ardhshëm mbetet real.
KOHA JONË SONDAZH

