Ramadani zyrtarizohet te Vllaznia: Rikthimet janë të bukura!
Behar Ramadani është zyrtarizuar te Vllaznia. Mesfushori 29-vjeçar është prezantuar këtë të enjte para mediave nga klubi shkodran. Me kuqeblutë ai ka luajtur edhe në sezonin 2013-2014, për t’u larguar më pas drejt Tërbunit. Ish-kapiteni i Luftëtarit ka firmosur një kontratë 1-vjeçare, ndërkohë që dha dhe deklaratën e parë.
“Normalisht gjithmonë rikthimet janë të bukura, aq më tepër kur kthehem tek këto ngjyra me të cilat jam rritur. Tashmë nuk ka më kohë për fjalë, çdo gjë duhet t’ia lëmë kohës dhe t’i futemi punës dhe të mundohemi për të dhënë më të mirën për këtë fanellë dhe për qytetin. Ndoshta ka qenë edhe çështje fati që nuk kam luajtur shumë në Shkodër.
Tek Luftëtari ka qenë shtëpia ime e dytë, e kam kaluar shumë mirë, atje kam kaluar vitet më të bukura të karrierës time i kam kaluar në atë qytet të mrekullueshëm. Sa i takon Vllaznisë vërtetë që kam dhënë shumë pak për të, kështu erdhën rrethanat por shpresoj që këtë vit të jap më tepër dhe të arrijmë ato objektiva që ka klubi.
Tek Vllaznia shoh që ka ndryshime, ka ardhur trajner i ri, po vijnë lojtarë të rinj dhe ajo që mund të them unë është se do të jap maksimumin tim. Sa u takon tifozëve, ata jo këtë vit por historikisht kanë treguar se i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar dhe ato gjithmonë kanë kërkuar më pas një Vllazni sa më të mirë, konkurrente për titull dhe jo më për pjesët e tjera të kampionatit”, ka përfunduar Ramadani.