Ranieri: Vllaznia-Tirana, nuk ka më vend për rrëmuja në Shkodër (Foto)
Përplasja mes tifozëve të Tiranës dhe Vllaznisë, në sfidën e fazës së parë që u zhvillua në “Loro Borici” mes dy ekipeve me traditë në futbollin shqiptar është ndoshta episodi më i hidhur që trajneri italian i kuqebluve Baldo Raineri ka përjetuar në stolin shkodran. Pesë muaj pas atyre ngjarjeve të shëmtuara që tronditën opinionin publik, rikthehet sërish në Shmkodër përballja mes Vllaznisë e Tiranës. Trajneri Ranieri shprehet se dhuna është e papranueshme mes dy tifozerive, që në fakt e kanë gjetur disa kohë më parë paqen mes tyre . – “Mbi të gjitha shpresoj të mos ndodhin më ngjarje të tilla në të ardhmen, sepse nuk do të ishte e mirë për sportin, për të gjithë ne dhe për ju gazetarët, që keni bërë një punë të shkëlqyer. Shpresoj që të jetë një takim interesant, entuziazmues dhe dëfryes, ku në fund të fitojë Vllaznia,” – shprehet ai. Por tifozët bardheblu nuk do të jenë të pranishëm në “Loro Boriçi” për shkak të dënimit të dhënë nga komisionet juridike në FSHF. Raineri thotë se tifozët kryeqytetas janë më të organizuar, sepse kanë mbështetje ekonomike nga klubi i tyre. – “Unë kam parë që tifozët e Tiranës janë të organizuar, por edhe mbështetësit tanë nuk janë më pak të organizuar. Ndoshta ata kanë më shumë mundësi ekonomike, por e përsëris, e rëndësishme është të mos kemi ngjarje të tilla sikurse ndodhi në fazën e parë.” Para një ndeshjeje të tillë Raineri e pranon se nuk kërkohet shumë impenjim për të karikuar futbollistët, sepse është vetë emri i kundërshtarit që i nxit lojtarët të japin maksimumin në fushë. – “Kjo është një ndeshje ku nuk duhet shumë punë për përgatitjen e saj, sepse futbollistët karikohen vetë. Të gjithë e ndjejnë kur afrohen përballje të tilla. Shpresojmë që të jenë sa më shumë tifozë nga ana jonë. E dimë që do ta kemi shumë të vështirë dhe se nuk mund ta fitojmë kampionatin, por ama nuk duam të pësojmë humbje të tjera,” – theksoi trajneri i Vllaznisë. Italiani flet edhe për Kupën e Shqipërisë, ku Vllaznia është thuajse e eliminuar pas humbjes 2-0 me Kukësin në “Loro Boriçi”. –“Janë dy ndeshje në Kupë, ku i dihet ndoshta në sfidën e kthimit Kukësi do të ketë probleme e ne mund të fitojmë. Ndeshjet e Kupës janë interesantë, sepse do të luash në dy ditë të ndryshme.” Gjithsesi, shkodranët pavarësisht rezultatit me Tiranën nuk rrezikojnë rënien dhe as kanë pretendime për një vend në Kupat e Europës.
KOHA JONË SONDAZH

