Raport special i FIFA-s: Shqipëria e de Biasit, edhe symbyllur shkon në Francë
Shqipëria është në ngjitje me Gianni De Biasi”. Faqja zyrtare e FIFA-s i ka kushtuar një speciale ecurisë së Kombëtares kuqezi, një prej surprizave më të mëdha të kualifikueseve të Euro 2016.
Artikulli nis me kujtimin e ndeshjes së humbur 2-1 me Luksemburgun më shtator 2011. Një prej pikave më të ulëta në historinë e përfaqësueses, që i mbylli kualifikueset e Evropianit 2012 në vendin e parafundit në grup.
Zhgënjimi nuk u harrua. Dështimi u shndërrua në forcë për të ecur përpara. Vetëm tre muaj pas asaj ndeshje skuadra iu besua Gianni De Biasit. Me italianin në stol, e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë më e ndritur.
Megjithatë, në intervistën e dhënë për FIFA-n, De Biasi e ka të qartë rrezikun që vjen së bashku me suksesin.
“Aktualisht jemi në pozita fantastike. Jemi krenarë dhe të lumtur për atë që po bëjmë. Por, situata në të cilën ndodhemi do të thotë gjithashtu që duhet të japim më të mirën tonë në të gjitha sfidat”, tha Biasi.
Konfederata botërore vlerëson se Shqipëria aktualisht po shkruan historinë. Pozicioni i 22-të në renditjen e FIFA-s është tregues i qartë. Vendi i tretë në Grupin I, me tre fitore dhe vetëm një barazim kanë rritur euforinë mes tifozëve, për pjesëmarrjen e parë historike në një eveniment madhor. Por, sërish, De Biasi predikon kujdes.
“Praktikojmë një futboll tërheqës dhe rezultatet janë të mira. Nuk mund të jemi më të lumtur se kaq. Kjo që po bëjmë është e jashtëzakonshme, por nuk mund t’ia lejojmë vetes të shpërqendrohemi nga kualifikueset dhe të nisim të mendojmë për fazën finale të Evropianit. Rruga drejt Francës është e gjatë dhe plot të papritura. Nëse mendojmë se e kemi arritur suksesin do të mposhtnim veten”, pohoi De Biasi.
Trajneri kuqezi flet për sfidën e 4 shtatorit në Kopenhagen me Danimarkën dhe zbulon çfarë i pëlqen më tepër te shqiptarët. “Ndeshja në Danimarkë të premten e ardhshme është ndeshja e jetës për Shqipërinë. Ajo që më pëlqen më tepër te ky popull janë krenaria dhe pasioni. Kjo ma vështirëson punën ndonjëherë, pasi më duhet ti bëj të kuptojnë se ndeshjet duhet të merren me radhë”.
De Biasi thekson se Shqipëria ka prodhuar gjithmonë futbollistë të mëdhenj, duke përmendur emra si Rraklli dhe Tare, por vlerëson skuadrën aktuale, me lojtarë që përveç fantazisë tregojnë angazhim në fushë “Detyra ime është të gjej taktikat që të marr më të mirën nga lojtarët. Kërkoj gjithmonë balancën e duhur mes fantazisë e disiplinës kolektive dhe tani lojtarët mund ta gjejnë njëri tjetrin në fushë me sytë mbyllur. Asgjë nuk më jep më tepër kënaqësi”.
Në fund të speciales, FIFA vlerëson se “me një drejtues si italiani në stol, kuqezinjtë mund ta gjejnë me sytë mbyllur edhe rrugën drejt finaleve të Euro 2016”.
KOHA JONË SONDAZH

