
E ardhmja e Marcus Rashford te Manchester United duket sërish në pikëpyetje. Sulmuesi anglez, i rikthyer në “Old Trafford” pas huazimeve te Aston Villa dhe Barcelona, mund të largohet përsëri gjatë merkatos së janarit.
Sipas raportimeve, futbollisti 1997 nuk është i kënaqur me minutat e aktivizimit që ka marrë deri më tani. Rashford ka regjistruar vetëm tetë paraqitje, me një total prej 502 minutash në fushën e lojës, shifra që kanë shtuar pakënaqësinë e tij.
Për këtë arsye, sulmuesi është i hapur ndaj një transferimi të ri, në kërkim të më shumë hapësirave dhe vazhdimësisë. Edhe Manchester United nuk do ta pengonte largimin e tij, pasi drejtuesit e klubit thuhet se nuk janë plotësisht të kënaqur me qëndrimin e lojtarit.
Në rast të largimit të Rashford, drejtuesit e United kanë nisur të shqyrtojnë alternativat për përforcimin e repartit ofensiv. Një nga arsyet është edhe gjendja fizike e Benjamin Sesko, i afruar nga Leipzig për më shumë se 75 milionë euro, por që deri tani ka pasur probleme për të qenë rregullisht në dispozicion.
Sulmuesi slloven ka regjistruar vetëm 206 minuta aktivizim në të gjitha kompeticionet, me dy gola në gjashtë ndeshje.
Sipas gazetës angleze “Daily Mail”, emri kryesor në listën e Manchester United është Fermin Lopez i Barcelonës. Mesfushori ofensiv spanjoll, i lindur në vitin 2003, po kalon një periudhë shumë të mirë, me gjashtë gola në 13 paraqitje.
Megjithatë, transferimi i tij nuk do të jetë aspak i lehtë. Barcelona e konsideron një element të rëndësishëm të projektit sportiv dhe për kartonin e tij kërkon të paktën 70 milionë euro.
