Real Madrid klubi që fiton më shumë para në botë, i dyti Mançester Junajtid (Foto)
Tifozët në mbarë botën habiten me shpenzimet kolosale të Real Madrid, të Mançester Junajtid, apo Barcelonës. Por gjigantët e futbollit botëror vendosin të shpenzojnë shumë, që të fitojnë shumë më tepër.
Real Madrid po e feston akoma suksesin pas “Doble Decima”, ose trofeut të 10-të të Champions League që siguroi një edicion më parë. Publikimi i fundit i “2015 Deloitte Money League” e nxjerr në krye Realin, sa i përket të ardhurave të siguruara, kjo për faktin se sezonin e kaluar skuadra e Carlo Ancelottit fitoi në finalen e Lisbonës ndaj Atletico Madrid trofeun më prestigjioz për klube në botë. Reali edhe këtë vit ka vendosur rekord të ardhurash, duke qëndruar për herë të 10-të radhazi, në vendin e parë.
Real Madrid ka pasur rekord të ardhurash prej 549.5 milionë euro gjatë sezonit 2013-14, në bazë të të dhënave që siguron “2015 Money League”, me një rritje, krahasuar me një vit më parë, me 31mln euro. – “Me afro 550 mln euro, suksesi komercial i Realit vazhdon. Me shumë të ngjarë, edhe vitin tjetër do të jetë po Real Madrid, në krye si klubi më me shumë të ardhura në botë,” – thotë në një deklaratë për mediat, pas publikimit, zëdhënësi i Deloitte. Barcelona, rivali kryesor i Real Madrid në Spanjë, ka rritje të të ardhurave, por vetëm me 2 mln euro këtë sezon. Për Barçën, të ardhurat e vitit të fundit shkojnë në 484.6 mln euro, duke zbritur në vend të katërt, nga vendi i dytë që mbante vitin e shkuar. Në vend të dytë dhe të tretë janë ngjitur përkatësisht Mançester Junajtid dhe Bayern Mynih. “Deloitte's Money League” i llogarit të ardhurat në bazë të tre kategorive të ndryshme: Ato që fitohen gjatë një ndeshje, e drejta televizive,si dhe pjesa komerciale, teksa në këtë drejtim Real Madrid ka performuar më mirë dhe ka të dhëna që japin shpresë për një të ardhme akoma edhe më të suksesshme.
Të ardhurat e Real Madrid nga ndeshjet llogariten në 113.8 mln euro dhe në këtë kategori pas vijnë Barcelona dhe Manchester Junajtid. Por Junajtid dhe Bajerni kanë pasur sukses në anën komerciale dhe të drejtat televizive. Me këto të ardhura Real Madrid do të rindërtojë stadiumin “Santiago Bernabeu”, me një shifër që shkon në 400 mln euro. Projekti, i cili është fituar nga firma gjermane GMP, përfshin edhe komplekse, hotele e restorante. Data e përfundimit parashikohet në fillim të sezonit 2020-21. Por Real Madrid ka fituar shumë edhe nga ana komerciale.
Fabrika “Adidas” u detyrua të ndalë shitjen e fanellave të Rodrigues, pasi më shumë se 345.000 fanella “James 10”, që i përkisnin kolumbianit kur kaloi gjatë verës tek Real, janë blerë brenda 48 orëve. Reali shet afro 1.6 mln fanella në vit, më shumë se çdo ekip tjetër dhe të ardhurat komerciale janë rritur këtë vit nga 211.6 mln euro, në 231.5 mln euro. Plot 220 mln euro fitoi Reali vitin e fundit nga e drejta televizive, për ndeshjet e këtij ekipi në të gjitha kompeticionet. Arritja deri në finalen e Champions, ndikoi në këtë rritje. Vetë trofeu i solli vetëm 20 mln euro. Klubi madrilen i gëzohet edhe sponsorizimeve, sidomos asaj të fundit të “Emirates airline”. Real gjithashtu fiton edhe nga marka të tjera botërore, me të cilat ka lidhur marrëveshje, si Microsoft, Audi, Bwin, IPIC dhe Samsung. Vetëm marrëveshja me “Adidas” i sjell të ardhura deri në 40 mln euro në një sezon. Shifra marramendëse që tregojnë sesa komercial është kthyer futbollit në ditët e sotme.
A.M/ Koha Jonë
KOHA JONË SONDAZH

