
Real Madridi e ka mbyllur në avantazh 0-1 pjesën e parë të “El Clasico”-s ndaj Barcelonës, në një 45-minutësh me raste të rrezikshme, një zëvendësim të detyruar për katalanasit dhe një gol të madrilenëve në minutën e 41-të.
Ndeshja nisi me rivalitet të fortë mes dy skuadrave, ndërsa Barcelona u detyrua të bënte ndryshimin e parë në minutën e 30-të. Xavi Espart, pas një përplasjeje me Aurelien Tchouameni, nuk mundi të vazhdonte lojën dhe u zëvendësua nga Alejandro Balde.
Pesë minuta më vonë, katalanasit patën rastin e parë serioz për të kaluar në avantazh. Anthony Gordon depërtoi në zonën e rreptësisë dhe goditi fort drejt anës së majtë të portës, por portieri Andriy Lunin reagoi në mënyrë spektakolare, duke shpëtuar Real Madridin.
Përgjigjja e madrilenëve erdhi në minutën e 41-të. Pas një aksioni të shpejtë dhe një kombinimi me Marc Cucurella, Yan Diomande dërgoi topin në zonë. Gerard Martin nuk arriti ta largonte siç duhet, ndërsa pas një devijimi nga këmbët e Kylian Mbappes, topi përfundoi në rrjetë për rezultatin 0-1.
Barcelona pati mundësinë ideale për të rikthyer baraspeshën vetëm tri minuta më vonë. Lamine Yamal u gjend në një pozicion të favorshëm, por nuk arriti ta shfrytëzonte rastin për të mposhtur Lunin.
Në minutat shtesë të pjesës së parë, Real Madridi mund të kishte dyfishuar epërsinë. Yan Diomande shpërdoroi një mundësi të artë, duke e dërguar topin jashtë kuadratit, pranë shtyllës së majtë.
