Reali triumfon mes drithërimash ndaj Bilbaos, vendos “perla” e Valverdes

Real Madrid ka marrë një fitore dramatike në “Santiago Bernabeu”, duke mposhtur Athletic Bilbaon me rezultatin minimal 1-0 në kuadër të javës së 32-të të La Ligës. Pas zhgënjimit në mesjavë ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve, madrilenët kishin nevojë jetike për tri pikët për të mbajtur gjallë garën për titullin kampion.

Skuadra e Carlo Ancelottit pati një paraqitje të zbehur për pjesën më të madhe të takimit dhe pati vështirësi të krijonte raste të rrezikshme. Në minutën e 80-të, Vinicius Junior arriti të çonte topin në rrjetë, por pas rishikimit me VAR, goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Fitorja do të vinte në frymën e fundit, kur në minutën e 93-të, Federico Valverde shpërtheu me një goditje spektakolare në trekëndësh duke tundur rrjetën dhe shpërthyer festën në “Bernabeu”.

Me këtë rezultat, Reali mbetet në garë për titull, duke ruajtur një diferencë prej 4 pikësh nga Barcelona kryesuese, me vetëm gjashtë javë të mbetura në kampionat.

SHKARKO APP