Reja dhe Tare flasin “Gazzetta dello Sport”: Kujdes nga Shqipëria!

“Gazzetta dello Sport” i kushton çdo ditë e më shumë vëmendje duelit mes Shqipërisë dhe Italisë. Këtë herë personazhet e përzgjedhur janë Edy Reja, ish-trajner i Kombëtares dhe Igli Tare ish-sulmues dhe drejtues i Lazios.

“Unë jam italian, i kam “axurrët” në zemër, por kam afeksion dhe simpati për shqiptarët, do të më pëlqente nëse do të bënin një figurë të mirë, por do të bëj tifo për Italinë. Shqipëria nuk duhet nënvlerësuar, është rritur shumë në raport me 2016, është një skuadër e fortë nga pikëpamja karakteriale. Do të jetë e vështirë t’i nxjerrësh jashtë.

Spalletti duhet të shikojë Bajramin mes linjave. Kujdes kundërsulmin. Nëse do t’i lejojmë hapësira do të na bëjnë keq. Broja duket se ka ardhur me mendjen e duhur”, tha Reja

Igli Tare del kundër pritshmërive dhe parashikimeve, që nuk shohin garë të shtunën në Dortmund.

“Nëse Italia është favorite? Unë them jo, duke parë edhe paraqitjet e saj të fundit. Sigurisht, është më eksperte. Ky është avantazhi i saj i vetëm. Sa i përket nivelit të skuadrës, Shqipëria mund ta luajë këtë ndeshje si e barabartë, nëse do të menaxhojë faktorin emocional. Duhet entuziazmi i duhur, sepse nëse është i tepruar atëherë të bllokon”, tha Tare.

Ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet më 15 qershor në orën 21:00 në stadiumin “Signal Iduna Park”

SHKARKO APP