Reja: Do ketë ndryshime me Lituaninë, në sulm kemi probleme!

Shqipëria do të luajë ndaj Lituanisë ditën e nesërme, teksa trajneri Edoardo Reja është optimistë për një fitore, por i druhet një euforie. Strategu italian analizoi edhe momentin që po kalojnë disa futbollistë në ekip.

“Është një ndeshje e ndryshme, e vështirë. Lituani luan mirë me topin, është e shpejtë nga krahët. Kam besim te ekipi im. Do më duhet të bëj disa ndryshime. Do jem shumë i kujdesshëm në zgjedhjet e mia. Ata humbën, por skuadra reagon dhe mund të na hapë shumë punë.

Sa i përket fazës sulmuese kam probleme, pasi Cikalleshi ka shqetësime fizike. Për mbrojtjen nuk është se kam ndonjë shqetësim, pasi nuk lodhen shumë, sidomos tre mbrojtësit e qendrës. Kam edhe Enea Mihaj, i cili është kandidat për të luajtur.

Edhe për pjesën e mesfushës, kemi Baren dhe Abrashin, që kanë shpenzuar shumë energji. Po shikoj dhe në mesfushë për të bërë ndonjë ndryshim. Nuk e di si do të jetë Hysaj, nëse do të jetë “top” si kundër Bjellorusisë, por duhet të tregojmë shumë kujdes për lojtarët, që të mos pësojnë dëmtime.

Sigurisht që jam i kënaqur me rezultatin ndaj Bjellorusisë, por rruga është e gjatë. Nuk mund të them se kemi eufori, pasi kemi nisur menjëherë të përgatisim ndeshjen e radhës. Nuk duhet të bëjmë asnjë gabim. Nuk isha i kënaqur me sulmin kundër Bjellorusisë, pasi nuk e ndihmoi shumë skuadrën, por për shkak të problemeve fizike, edhe ndeshja nuk u interpretua nga lojtarët siç duhet.

Ne kishim 9 muaj pa u takuar me njëri-tjetrin dhe për tre ditë, është shumë e vështirë. Ishte e vështirë të fitonim, por jam shumë i kënaqur me lojtarët e mi. Treguan se donin të fitonin me çdo kusht. Ne kompensuan pjesën fizike me karakterin që treguam në fushë.

Roshi? Ai hyn në fushë dhe zgjidh ndeshjen. Unë do të doja që Roshi të ishte titullar, por për shkak të modulit me të cilit luajmë, nuk është e mundur. Ua kam thënë lojtarëve, sikur 5 minuta të luajnë, duhet të japin maksimumin në fushë. Është e vështirë të ndryshohet skema gjatë rrugës. Unë kam kohë që luaj me këtë skemë dhe ekipi është përshtatur. E kam provuar dhe Roshin, por nuk dua të bëj eksperimente të tilla.

Janë dhe Broja e Çepele, që kanë bërë shumë mirë. Më ka pëlqyer shumë Broja, por dhe Çepele, i cili është vetëm 17-vjeç, por është një lojtar që duket sikur ka shumë eksperiencë. A do ketë debutues? Kemi lojtarë që mund të debutojnë nga fillimi, por dhe nga stoli. Për të vendosur, do të mendohem mirë, deri sa të dal në një konkluzion”, u shpreh Reja.

 

 

SHKARKO APP