Reja firmos kontratën e re në janar, kontroll absolut në të gjitha moshat
Edy Reja ende nuk ka firmosur kontratën e re me kombëtaren tonë, por një gjë e tillë do të ndodhë më 20 janar. Strategu italian së bashku me stafin e tij do të firmosin kontratat e reja, që në fakt nuk lidhen thjesht me drejtimin e ekipit Kombëtar A, por me kontrollimin, menaxhimin dhe drejtimin e futbollit shqiptar që nga baza e tij.
Projekti i ndërtuar nga trajneri Reja, pas kërkesës së drejtuesve të FSHF-së, do të ngarkojë me detyra më të rëndësishme dy nga pikat kyçe të stafit të tij. I pari është Luigi Febrari, përgatitësi atletik i Kombëtares Shqiptare, që në Itali njihet dhe si themeluesi i Shoqatë së Përgatitësve Atletikë. Ai do të ngarkohet në programin e ri për të mësuar, monitoruar dhe vëzhguar vazhdimisht të gjitha grumbullimet dhe punën që bëhet nga baza, domethënë ekipet nga U-11 deri tek ekipi Kombëtarë A, sipas Tch.
Gjithashtu, në pjesën e stafit që do të qëndrojë në pjesën më të madhe të kohës në Shqipëri për të monitoruar futbollin e bazës, do të jetë edhe mjeku i ekipit kombëtar, Gianluca Stesina. Ish-mjeku i Juventusit dhe aktualisht mjek në Klinikën e Juventusit në Torino. Ai do të ketë detyrën e përgjegjësit të departamentit të mjekësisë sportive, që do të hapet rishtazi. Si rrjedhojë, veç trajnimeve të mjekëve sportivë, ai do të vëzhgojë edhe punën që bëhet me të rinjtë në këtë aspekt.
I gjithë stafi i Edi Rejas do të firmosë një kontratë 4-vjeçare, për të përmbushur projektin që vetë kanë paraqitur në pas kërkesës së FSHF-s. Ky projekt 4-vjeçar, ku përfshihet pa dyshim edhe trajneri i kombëtares Edi Reja, do t’i kushtojë Federatës Shqiptare të Futbolli rreth 3 milionë euro , ku për herë të parë që nga ekipet e moshave të klubeve, jo vetëm ekipeve kombëtare, do të ketë një vëzhgim të një stafi akoma më të specializuar dhe më profesionist.