Reja: Me Turqinë do të marrë disa përgjigje, ja ku duhet të kemi kujdes
Në ditën e ditëlindjes, trajneri i kombëtares sonë, Edoardo Reja ka folur në prag të duelit ndaj Turqisë, duke u shprehur se pret që të marrë përgjigje nga futbollistët e tij.
“Grupi funksionon, është një grup që po përmirësohet dhe ne mbajmë në konsideratë të lartë vlerat e Turqisë që ka lojtarë të rëndësishëm si Jillmaz e Calhanoglu, apo Tosun, që shohin portën. Por sulmuesit janë më të rrezikshmit gjithmonë. Ne, për të bërë një ndeshje të madhe duhet të jemi në formë të mirë, në 100%, përndryshe do të dalim me një humbje. Detyra jonë do të jetë të vijmë këtu, të jemi të përqendruar në maksimum se vetëm kështu mund të bëjmë një ndeshje të mirë. Objektivi ynë është të bëjmë një paraqitje të mirë ndaj Turqisë, për të parë nëse mund të bëjmë më mirë”.
A mund të nisemi nesër nga dueli ndaj Islandës dhe sa ju shqetësojnë mungesat?
Hysajn e dimë mirë rëndësinë që kishte, por kush do të luajë, do të bëjë mirë. Ky është një test i rëndësishëm për ne. Është një duel që do na japë përgjigje për rritjen pozitive që kemi pasur. Duhet ta marrim nën shqyrtim këtë ndeshje. Nëse do të arrijmë rezultat pozitiv, kjo do të thotë se jemi në rrugën e duhur.
Çfarë do të ndryshoni nga ndeshja e fundit ndaj Turqisë?
Nuk e kam parë vetëm atë ndeshje, por edhe në ndeshje të tjera si ndaj Francës, ku edhe ata fituan duke treguar vlera të mëdha. Kjo është një ndeshje që duhet ta luajmë me maksimumin tonë. Nesër duhet të kemi kujdes edhe në goditjet e lira, pasi janë shumë të fortë në këtë aspekt. Dua të shoh përmirësime, edhe më shumë se ndeshja e fundit ndaj Islandës.
Do të kemi ndonjë debutues nga minuta e parë?
Jo, por do të jenë dy prej tyre në stolin e rezervave dhe mund të kenë hapësira gjatë ndeshjes.