Rekord historik, Shqipëria e 36-ta në renditjen e FIFA-s
Historike, Shqipëria arrin klasifikimin më të mirë të saj të të gjitha kohërave në renditjen botërore të FIFA-s.
Shqipëria e futbollit pozicionohet në vendin e 36 në botë, duke u ngjitur më lart se kurrë në klasifikimin global.
Ajo ka thyer rekordin e mëparshëm të prillit të vitit 2013, kur Kombëtarja kuqezi arriti deri në vendin e 37 në renditjen botërore.
Në këtë mënyrë, Kombëtarja e De Biasit, pas paraqitjeve impresionuese që kanë dhuruar kënaqësi e besim te publiku, merr frytet e progresit të vazhdueshem dhe evident edhe me mirëvendosjen e saj në renditjen e FIFA-s.
Muajin e fundit Shqipëria ka ngjitur plot 15 shkallë, cka rezulton ndërkohë edhe një ndër lëvizjet më pozitive të këtij harko kohor në nivel global.
Janë plot 98 pikë të fituara që i dedikohen pikërisht një tjetër suksesi historik, fitores 1-0 ndaj Francës falë supergolit të Ergys Kaces në miqësoren e luajtur 13 qershorin e kaluar në Elbasan Arena.
Me këtë renditje Shqipëria blindon vendin e saj në vazon e tretë të shortit të eleminatoreve të Botërorit Rusi 2018, që do të hidhet në 25 korrik, ku do të ketë mundësinë që të ketë në grup 3 skuadra me koeficient më të ulët, pra teorikisht më të dobëta.
Për sa i përket rivalëve të Grupit I në eleminatoret e Europianit Francë 2016, Danimarka, kundërshtari ynë direkt për vendin e dytë dhe kualifikimin e drejtëpërdrejtë ka ngjitur 5 shkallë, duke u pozicionuar e 24-ta në botë.
Franca e dënuar nga humbja në Elbasan Arena zbret 13 vende, duke u renditur e 22-ta.
Kryesuesit e Portugalisë janë skuadra më e mirëpozicionuar e Grupit I, pasi qëndrojnë në vendin e 7.
Mbetet shumë pas ndërkohë Serbia, që edhe pse ka ngjitur dy shkallë, renditet në vendin e 43-të, ndërsa Armenia me minus pesë shkallë është e 89 në botë.
Klasifikimi i FIFA-s ka përjetuar ndryshime të rëndësishme edhe në kreun e tij, ku Argjentina pavarësisht disfatës në finalen e Kupës së Amerikës, i ka rrëmbyer vendin e parë Gjermanisë, kampione të Botës, që ndodhet në vendin e dytë, ndërsa në 10-shen e parë spikat ngjitja e Anglisë, Rumanisë, si dhe Kilit, që arrin pozicionin e 11 falë suksesit në Copa America./ SS
KOHA JONË SONDAZH

