Revolucioni i radhës tek Milan
Tek Milani nuk gjejnë qetësi dhe pasi shkarkuan trajnerin Marco Giampaolo në mes të sezonit, për ta zëvendësuar më pas me Stefano Pioli, pritet që në fund të sezonit, të ketë një tjetër revolucion. Këtë herë ndryshimet do të jenë më të mëdha, duke filluar me dy drejtuesit, Paolo Maldini dhe Zvonimir Boban, që siç duket e kanë humbur “luftën” me Ivan Gazidis, i cili kishte kohë që kishte përzgjedhur trajnerin e ardhshëm për 18 herë kampionët e Italisë.
Bëhet fjalë për ish-trajnerin e Leipzig, Ralf Rangnick, që aktualisht mban postin e kreut të sportit dhe zhvillimit tek Red Bull GmbH. Sipas asaj që raporton gazeta gjermane BILD, Rangnick e ka gati stafin dhe bashkëpunëtorët e tij për t’i sjellë në Milano, dhe rrjedhimisht nuk do të kishte më vend për Maldini dhe Boban.
Në foto drejtuesit e Milanit; Frederic Massara, Ivan Gazidis, Stefano Pioli, Zvonimir Boban dhe Paolo Maldini