Rey Manaj shpërthen me dopietë, sulmuesi kuqezi protagonist në Turqi
Rey Manaj ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte protagonist absolut për Sivassporin, duke shënuar dy gola në barazimin 2-2 ndaj Manisa FK në Ligën e Parë të Turqisë.
Sulmuesi kuqezi e gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 17-të. Manaj u shkëput bukur nga mbrojtja kundërshtare dhe përfitoi nga krosimi i Ciftcit për të kaluar Sivassporin në avantazh.
Manisa reagoi dhe arriti të barazojë me Sylla, por para përfundimit të pjesës së parë Manaj u shfaq sërish. Sulmuesi shqiptar mori përsipër ekzekutimin e një penalltie dhe nuk gaboi, duke rikthyer avantazhin për skuadrën e tij.
Në pjesën e dytë, Sylla realizoi edhe golin e dytë personal për Manisën, duke vendosur rezultatin përfundimtar në 2-2.
Edhe pse Sivasspori u detyrua të kënaqej me një pikë, paraqitja e Manajt ishte një sinjal pozitiv. Dy golat e tij përbëjnë një nisje premtuese të sezonit dhe rrisin pritshmëritë për një tjetër sezon produktiv të sulmuesit shqiptar në futbollin turk.

KOHA JONË SONDAZH

