
Fitimi i Topit të Artë 2026 nga Harry Kane ka marrë vëmendjen e botës së futbollit. Mes urimeve për sulmuesin e Bayern Munichut është edhe ai i Franck Ribery, ish-yllit të klubit bavarez, i cili e përgëzoi anglezin për arritjen më të madhe individuale në karrierën e tij.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, francezi vlerësoi punën dhe karakterin e Kane, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit ndaj skuadrës.
“Urime, Harry Kane! Përulësia, puna e palodhur dhe përkushtimi yt ndaj ekipit më në fund dhanë frytet e tyre. Ky është një demonstrim se talenti, i kombinuar me vendosmërinë dhe shpirtin e skuadrës, shpërblehet gjithmonë. Respekt!”, shkroi Ribery.
Urimi i francezit ka një domethënie të veçantë, duke pasur parasysh historinë e tij me këtë çmim. Në vitin 2013, Ribery përfundoi në vendin e tretë, pavarësisht sezonit të jashtëzakonshëm me Bayern Munichun, me të cilin fitoi tripletën.
Ish-anësori francez ka shprehur ndër vite zhgënjimin për faktin se nuk e fitoi atë trofe, por këtë herë zgjodhi t’i lërë mënjanë polemikat dhe të përgëzojë Kane.
Sulmuesi anglez, sipas raportimit, e mbylli sezonin me 73 gola në të gjitha kompeticionet, fitoi Bundesligën me Bayern Munichun dhe arriti vendin e tretë me Anglinë në Kupën e Botës.
