
Sulmuesi brazilian Richarlison ka bërë akuza të rënda ndaj senatorit Flavio Bolsonaro, djalit të ish-presidentit të Brazilit, Jair Bolsonaro. Futbollisti pretendon se i është marrë ishulli privat në Angra dos Reis, në bregdetin e gjelbër të Rio de Janeiros, pavarësisht se kishte refuzuar disa oferta për shitjen e tij.
Richarlison vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes edhe për çështje jashtë fushës së futbollit. Këtë herë, sulmuesi brazilian ka akuzuar publikisht senatorin Flavio Bolsonaro se i ka marrë ishullin privat, të cilin pretendon se e kishte blerë gjatë viteve 2020-2021.
Sipas rrëfimit të futbollistit, ai kishte marrë disa oferta për shitjen e pronës në Angra dos Reis, përfshirë edhe një ofertë nga Flavio Bolsonaro. Megjithatë, Richarlison thotë se i kishte refuzuar të gjitha propozimet, pasi nuk dëshironte ta shiste ishullin.
“Nuk doja t’ia shisja ishullin. Pikërisht sepse nuk u tërhoqa, ata përfituan nga situata në gjykatë”, ka deklaruar sulmuesi, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar çështja e pronësisë.
Ai shpjegoi se në atë periudhë po përpiqej të përfundonte procedurat burokratike dhe dokumentacionin për pronën. Sipas tij, procesi ishte parashikuar të zgjaste disa muaj, madje edhe vite.
“Po rregullonim dokumentet dhe na thanë se do të duheshin muaj ose ndoshta vite për ta zgjidhur çështjen. Më pas, Flavio Bolsonaro dhe ky Willer Tomaz shkuan atje dhe, brenda 24 orëve, morën ishullin në zotërim. Pikërisht aty dështoi sistemi gjyqësor”, ka rrëfyer Richarlison.
Futbollisti pretendon se ishulli u mor pa u paguar asnjë shumë për të, ndërsa thekson se kishte investuar një shumë të konsiderueshme parash në këtë pronë.
“Me sa di unë, ata e morën ishullin pa shpenzuar asnjë cent. Unë kam shpenzuar rreth 10 milionë realë brazilianë atje dhe nuk kam marrë asgjë në këmbim”, është shprehur ai.
