Rikthehet nga Kenia, Kahata: Tiranën e gjeta ndryshe!
Tirana prezanton mesfushorin nga Kenia që u largua nga bardheblutë në fund të sezonit të shkuar, por që është sërish pjesë e klubit kryeqytetas me të cilin u bashkua në muajin janar. Pas kthimit, ai sot në daljen e parë publike me fanellën bardheblu, nuk e fshehu lumturinë mbi këtë rikthim. -“Ndihem mirë që jam sërish pjesë e Tiranës. Me skuadrën janë bashkuar shumë lojtarë të rinj dhe kjo është pozitive për ekipin. E kam ndjekur ecurinë e skuadrës nëpërmjet internetit. Futbolli është profesioni im dhe gjatë kohës që kam munguar jam stërvitur në shtëpi”. Kahata, 23-vjeç, e pranon se tashmë situata ka ndryshuar në klubin bardheblu nga i cili u largua, pasi luftoi deri në javën e fundit për t'i shpëtuar rënies nga kategoria. – “E gjej Tiranën një skuadër ndryshe nga periudha kur unë luaja disa muaj më parë. Nuk kam aspak frikë nga konkurrenca sepse profesioni im është futbolli dhe kam besim se do të jap më të mirën për skuadrën. Jam i lumtur që tifozët kërkuan me ngulm që unë të rikthehesha. E di që besojnë në aftësitë e mia.” Ai e përfundon deklaratën duke shkëputur fjalët më të mira për klubin dhe trajnerin Gugash Magani. -“Nuk kam pasur asnjë problem me klubin në të shkuarën. Nuk mund të premtoj titullin por unë dhe ekipi do të punojmë shumë që të tregojmë në fushë se sa vlejmë. Magani është një trajner shumë i mirë dhe jam i lumtur që ai do të jetë trajneri im”. Kahata pritet të debutojë në ndeshjene ardhshme ndaj Apolonisë, e cila do të luhet në Durrës.
KOHA JONË SONDAZH

