Risi në finalen e Botërorit 2026, FIFA do t’i dhurojë kampionëve unaza të veçanta
FIFA ka konfirmuar një risi historike për finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet të dielën në stadiumin “New York – New Jersey”. Për herë të parë në historinë e Kampionateve Botërore, skuadra fituese do të nderohet edhe me unaza kampionësh, duke ndjekur traditën e ligave profesionale amerikane si NBA, NFL dhe MLB.
Bëhet fjalë për një seri ekskluzive prej 2.026 unazash, një numër simbolik që lidhet me edicionin e Botërorit 2026. Nga këto, 30 unaza do t’u dedikohen futbollistëve dhe stafit teknik të kombëtares fituese, ndërsa 1.996 të tjera do të hidhen në treg si produkte zyrtare të licencuara nga FIFA për tifozët në mbarë botën.
Në njërën anë të unazës do të jetë i gdhendur trofeu i Kupës së Botës, ndërsa ana tjetër do të personalizohet sipas identitetit të kombëtares që do të shpallet kampione e botës. Çdo unazë do të ketë një numër unik identifikimi, do të prodhohet sipas porosisë së pronarit dhe do të shoqërohet me një certifikatë autenticiteti.
Menjëherë pas përfundimit të finales, kapiteni dhe trajneri i ekipit fitues do të marrin unaza simbolike të kampionit, ndërsa 30 unazat e personalizuara do të prodhohen më pas dhe do t’u dorëzohen zyrtarisht lojtarëve dhe anëtarëve të stafit teknik të kampionëve të rinj të botës.
Kjo është hera e parë që FIFA prezanton një traditë të tillë në një Kampionat Botëror, duke sjellë një element të frymëzuar nga sportet profesioniste amerikane në ceremoninë e kurorëzimit të kampionëve të futbollit.
KOHA JONË SONDAZH

