Rivaldo: Champions një kompeticion ndryshe, Arthur s’u largua kot nga Barça
Rivaldo është një emër që të imponon respekt edhe kur flet për futbollin pa harruar magjitë e tij kur ishte vetë në fushën e lojës. Në një analizë të bërë së fundmi për gazetën “AS” ai flet për Championsin si dhe “gabimin” që sipas tij bëri Barcelona me Arthur.
“Ky kompeticion është diçka ndryshe. Prandaj, të gjithë lojtarët duan të vijnë në Europë për të luajtur në të, për ta fituar kush mundet, sepse është diçka mbresëlënëse. Kushdo ëndërron ta fitojë Ligën e Kampionëve. Unë e bëra këtë me Milanin, por ishte e trishtueshme të mos luaja finalen kundër Juventusit. Isha në stol në finale, edhe pse doja shumë të luaja në fushë. Ishte një gjë e trishtueshme, sepse, pavarësisht gjithçkaje që kam bërë në futboll, kam dashur ta luaj atë ndeshje. Unë kisha luajtur në ndeshje të tjera, në atë sezon të Ligës së Kampionëve, ndaj doja të jepja kontributin tim në finalen e “Old Trafford”.
Arthur? Për mua, ai duhej të ishte me shokët e tij të skuadrës, sepse ende nuk është lojtar i Juventus. Pra, duhej të ishte me Barcelonën. Nuk e di se çfarë ndodhi me të, por nuk mendoj se një lojtar kthehet në Brazil kot së koti, sepse nuk dëshiron të luajë. Ai është një djalë i mirë, i qetë; nuk e di se çfarë ndodhi mes tij dhe Barçës, por ka diçka që nuk e dimë. Është një situatë që mund të shmanget duke folur për të, është e keqe për lojtarin dhe ekipin”, u shpreh Rivaldo.