Rivaldo: Vetëm Neymar mund të zgjidhë problemet e Messit
Rivaldo i ka kërkuar Barcelonës që të riblejë me Neymar gjatë merkatos verës. Skuadra katalanase ka pasur një sezon zhgënjyes deri më tani, duke qenë tri pikë pas Real Madridit në garën për titull në La Liga, ndërsa është eliminuar nga Kupa e Mbretit që në çerekfinale.
Messi kritikoi publikisht drejtorin sportiv, Eric Abidal, për akuza të pavërteta ndaj skuadrës, çka ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e argjentinasit në “Camp Nou”.
Rivaldo mendon se Neymar do të ishte nënshkrimi ideal për të marrë maksimumin edhe nga “10” e katalanasve.
“Barcelona duhet të gjejë një lojtar që bën ndryshimin, kur Messi nuk është aty, ose nuk është dita e tij, siç ndodhi në “San Mames”. Klubi duhet të kërkojë një lojtar, që ta shoqërojë atë dhe ta zëvendësojë, kur është e nevojshme.
Neymar është lojtari ideal për këtë rol. Barcelona ndoshta duhet të vazhdojë të mendojë për nënshkrimin e tij gjatë verës së ardhshme. Të kuptohemi, klubi nuk është përgjegjës për largimin e Neymar, disa vite më parë. Ka kaluar një kohë që atëherë dhe mbase është momenti për negociata, që i mundësojnë Neymar të kthehet dhe të kalojë vitet më të mira të karrierës së tij”, deklaroi Rivaldo.