Roberto Mançini “vajton” sezonin aktual me Inter, “Dëshiroja Champions”
Inter i duhet të fitojë dy takimet e radhës, atë ndaj Udines, që do të zhvillohet këtë të martë dhe kundër veronezëve të dielën në “San Siro”, në mënyrë që të shpresojë ende te një kualifikim i mundshëm në Europa League.Por edhe pse zikaltërit pas 7 pikëve të grumbulluara në tre ndeshjet e fundit kanë shanse reale të luajnë në Europë sezonin e ardhshëm, Roberto Mançini nuk e fsheh mërzinë që skuadra e tij nuk ka mundësi të luftojë për një vend Champions League. – “Jemi përmirësuar, dhe prej pak kohësh kemi marrë formën e një skuadre, e them këtë sepse skuadër quhesh atëherë kur arrin të fitosh duke zhvilluar një lojë bukur dhe në të njëjtën kohë duke bërë edhe ndryshime në formacion. Por edhe pas këtyre ndeshjeve mendimi im për sezonin mbetet negativ. Unë dëshiroja që Inter të pozicionohej mes tre skuadrave të para të Serisë A, por aktualisht jemi në garë vetëm për një vend në Europa League por edhe ky objektiv nuk varet nga ne. Udinese? Tre pikët për ne në këtë ndeshje nuk janë edhe aq të sigurta. Për të fituar duhet të bëjmë një paraqitje më shumë sesa pozitive, pasi Udinese është një skuadër në rritje. Ka mundur Milanin dhe drejtohet nga një trajner që e njeh shumë mirë Interin”.
Hernanes dhe Kovaçiç, sipas të gjithëve ishin çelësi i suksesit në fitoren e fundit, 2-1 ndaj Romës.
“Kovaçiç ndaj verdhekuqëve hyri mirë në ndeshje. Sjellja e tij në fushë ishte ajo e duhura. Ju gazetarët më pyesni shpesh se a mund të shndërrohet Mateo në Pirlon e ri në një të ardhme të afërt. Mundësitë i ka por rruga që duhet të ndjekë është shumë e gjatë. Hernanes? Aktualisht meriton të luajë, pozicioni mbas dy sulmuesve është ai perfekti për të dhe po paraqitet mirë”.
Paulo Dybala është një nga objektivat e ardhshëm në merkaton e Inter. Të dielën Roberto Mançini ishte i pranishëm në stadiumin “Tardini” në sfidën mes Parmës dhe Palermos për të ndjekur pikërisht talentin argjentinas por jo vetëm. – “Pashë nga afër Dybalan por jo vetëm atë. Te Palermo ndoqa edhe sulmuesin tjetër Franco Vazquez. Dua të them që më pëlqeu edhe Muari i Parmës”.
Ndeshjet e fundit të Seria A sollën edhe humbje për Juven, 2-1 ndaj Torinos në derbi, si dhe ndalesën e Lacios pas 7 fitoreve radhazi, me Kievon 1-1. Milan humbi një ditë më parë, 1-2 me Udinen.
1 Juventus 73
2 Lazio 59
3 Roma 58
4 Napoli 56
5 Sampdoria 50
6 Fiorentina 49
7 Genoa 47
8 Torino 47
9 Inter 45
10 Milan 43
11 Palermo 41
12 Verona 39
13 Udinese 38
14 Chievo 37
15 Sassuolo 36
16 Empoli 35
17 Atalanta 31
18 Cagliari 24
19 Cesena 23
20 Parma 16
KOHA JONË SONDAZH

