Rodri synon rikthimin në La Liga, Real Madrid më në avantazh se Barcelona
Rodri vijon të jetë një nga emrat më të përfolur në merkaton ndërkombëtare. Pas një paraqitjeje të shkëlqyer me Spanjën në Kupën e Botës, mesfushori i Manchester Cityt ka tërhequr interesimin e disa prej klubeve më të mëdha evropiane.
Në javët e fundit, emri i tij u lidh edhe me Paris Saint-Germain, por klubi francez duket se ka vendosur të mos e shtyjë më tej këtë pistë. PSG po fokusohet në afrimin e lojtarëve më të rinj dhe nuk dëshiron të investojë fuqishëm për mesfushorin spanjoll.
E ardhmja e ish-fituesit të Topit të Artë duket se mund të jetë e lidhur me një rikthim në Spanjë. Sipas raportimeve të fundit, kontaktet mes Rodrit dhe Real Madridit janë në një fazë shumë të avancuar. Vetë lojtari, i cili ka kontratë me Manchester Cityn deri në vitin 2027, do ta mirëpriste një transferim te “Los Blancos”.
Megjithatë, në garë është futur edhe Barcelona. Sipas Catalunya Ràdio, klubi katalanas po kërkon një përforcim të nivelit të lartë për mesfushën, pavarësisht situatës me dëmtimin e Frenkie de Jong, dhe tashmë ka nisur të mbledhë informacion për situatën e organizatorit spanjoll.
Sipas të njëjtit burim, ëndrra e Rodrit mbetet transferimi te Real Madridi, por mesfushori nuk do ta mbyllte plotësisht derën për një kalim te Barcelona, nëse do të paraqitej një mundësi konkrete. Megjithatë, në këtë moment, pista që e çon Rodrin drejt kryeqytetit spanjoll duket më e mundshme.
KOHA JONË SONDAZH

