Rolando Maran sjell te Kombëtarja eksperiencë, por jo pikë
Emërimi i italianit Rolando Maran në krye të Kombëtares shqiptare ka trazuar mjedisin sportiv në Shqipëri. Tekniku 62-vjeçar vjen me një eksperiencë të gjatë në futbollin italian, ku ka drejtuar skuadra në Serie A dhe Serie B, duke ndërtuar profilin e një trajneri të specializuar në stabilitet dhe menaxhim skuadrash me objektiva mbijetese apo zhvillimi.
Sipas të dhënave të platformës Transfermarkt, Maran ka drejtuar mbi 700 ndeshje si trajner në karrierë, me një mesatare që sillet rreth 1.25 pikë për ndeshje në total.
Periudha më e gjatë dhe më e njohur e karrierës së tij mbetet aventura me Chievo Verona, ku qëndroi nga viti 2014 deri në vitin 2018. Në 148 ndeshje në pankinën e klubit veronez, Maran regjistroi një mesatare prej 1.16 pikësh për ndeshje, duke mbajtur skuadrën për disa sezone në elitën italiane pavarësisht buxhetit modest dhe objektivave të kufizuara.
Megjithatë, statistikat tregojnë se momentin më të mirë sa i përket efikasitetit e ka pasur te Varese, ku regjistroi 1.77 pikë për ndeshje në 39 takime, shifra më e lartë e karrierës së tij në një eksperiencë afatmesme. Edhe te Brescia në sezonin 2005–06 pati një rendiment të fortë me 1.66 pikë për ndeshje, ndërsa periudha te Catania (2012–2013) solli një tjetër bilanc pozitiv me 1.40 pikë për ndeshje në Serie A.
Një tjetër etapë e rëndësishme ishte ajo me Cagliarin, ku në 69 ndeshje arriti një mesatare prej 1.23 pikësh për takim. Në fillim të aventurës së tij në Sardenja, skuadra u konsiderua një nga surprizat e kampionatit italian.
Statistikat kryesore të Maran sipas Transfermarkt:
Më i suksesshëm në pikë për ndeshje: Varese – 1.77 pikë për ndeshje
Eksperienca më e gjatë: Chievo Verona – 148 ndeshje
Momenti më i dobët: Pisa – 0.29 pikë për ndeshje
KOHA JONË SONDAZH

