VIDEO/ Shqipëria prezanton trajnerin e ri, e “bekon” edhe Sylvinho
Ekipi kuqezi do të ketë tranjer të ri dhe epoka e Sylvinhos tek Kombëtarja e Futbollit ka marrë fund. Rolando Maran është trajneri i ri, duke marrë drejtimin e kuqezinjve në një moment të rëndësishëm për projektin e ekipit përfaqësues. Gazetari i ”Koha Jonë”, Rozalb Lika nga konferenca për shtyp, raporton se tekniku italian pritet të sjellë eksperiencën e tij të gjatë në futbollin italian, ku ka drejtuar disa skuadra në Serie A dhe Serie B.
Maran vjen me një eksperiencë të gjerë në pankinë, duke drejtuar klube si Cagliari Calcio, Genoa CFC dhe AC ChievoVerona, ndërsa njihet për disiplinën taktike dhe organizimin e skuadrave të tij. Tashmë vëmendja do të jetë te zgjedhjet e para të trajnerit italian, lista e futbollistëve dhe mënyra se si ai do të ndërtojë identitetin e ri të Shqipërisë në ndeshjet e ardhshme. 62-vjeçari italian prej korrikut të vitit 2025 është i papunë, teksa drejtoi Brescian në 15 takime. Më herët Maran ka qenë edhe trajneri i Pisas, Genoas, Cagliarit, Chievos, Catanias, Barit apo Vareses në Itali. Kjo është hera e parë që Maran do të jetë në stolin e një ekipi kombëtar.
Trajneri brazilian u duk i gatshëm për një rinovim, por me terma më të përmirësuara financiare. Rreth 1 milionë euro në vit përfitonte trajneri Sylvinho me dy ndihmësit Doriva dhe Zabaleta. Sylvinhos i përfundonte kontrata në fund të qershorit, ndërsa prej kohësh ishte në negociata për rinovimin, por palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin pas dështimit për të shkuar në Botërorin 2026. Bashkë me Sylvinhon pritet të largohen edhe ndihmësit e tij, braziliani Doriva dhe argjentinasi Zabaleta. Sylvinho iu bashkua kombëtares shqiptare në fillim të vitit 2023 dhe në vitin e tij të parë, arriti kualifikimin historik në Euro 2024, duke e mbyllur grupin kualifikues në vendin e parë.
52-vjeçari u prezantua me kuqezinjtë më 2 janar të vitit 2023 dhe deri në këto momente ka qenë në stolin e Shqipërisë për 34 ndeshje, me një mesatare pikësh prej 1.53 për ndeshje. Si trajneri i Shqipërisë, Sylvinho regjistroi 15 fitore, 12 humbje dhe 7 barazime. Në epokën e tij Shqipëria shënoi 40 gola, duke pësuar 30-të.
KOHA JONË SONDAZH

