Roma dhe Inter dhurojnë “show” në Olimpico, por nuk ka asnjë fitues (VIDEO)

Roma dhe Inter dhurojnë spektakël në “Olimpico” në duelin më të rëndësishëm të javës së 17-të. Dueli përfundon në shifrat 2-2, teksa të dyja skuadrat treguan një futboll të bukur.

Më mirë e nisën verdhekuqtë që do të zhbllokonin rezultatin në minutën e 17-të. Pas një kundërsulmi të shpejt, Pellegrini godet mjaft mirë në hyrje të zonës. Interi përpiqet të reagojë, por në fraksionin e parë e ka të vështirë gjetjen e hapësirave.

Pjesa e dytë do të niste në mënyrën më të mirë për zikaltërit që do të shënonin dy gola, duke përmbysur rezultatin. Skriniar fillimisht shënon me kokë në minutën e 56-të, pas një kërcimi të bukur. Ndërkohë që 5 minuta më vonë, Achraf Hakimi nxjerr nga repertori i tij një goditje spektakolare me të majtën, duke e dërguar topin në trendëshin e Pau Lopez.

Roma reagon mjaft mirë në minutat e fundit, duke arritur që të gjejë golin. Pas disa tentativave, Mancini kërcen saktë me kokë duke lënë të shtangur për herë të dytë portierin Handanovic. Barazimi mban të dyja skuadrat në pozita të njëjta. Interi mbetet e dyta me 37 pikë, ndërkohë që Roma mban vendin e tretë me 34 pikë. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP