Roma zyrtarizon largimin e Marash Kumbullës, ja ekipi i ri i shqiptarit
Marash Kumbulla nuk është më pjesë e Romës. Klubi italian ka zyrtarizuar marrëveshjen me Rayo Vallecanon për transferimin e mbrojtësit shqiptar në formën e huazimit me të drejtë blerjeje.
Në komunikatën zyrtare, Roma njofton se ka arritur marrëveshjen me klubin spanjoll për largimin e Kumbullës, i cili do të vijojë karrierën në La Liga.
“AS Roma njofton se ka gjetur marrëveshjen me Rayo Vallecanon për transferimin e Marash Kumbullës. Operacioni do të realizohet në formën e huazimit me të drejtë blerjeje”, thuhet në njoftimin e klubit verdhekuq.
Mbrojtësi shqiptar, i cili iu bashkua Romës në vitin 2020, ka zhvilluar 68 ndeshje me fanellën verdhekuqe, duke shënuar edhe 4 gola.
Kumbulla ishte pjesë e skuadrës së Romës që fitoi Conference League në vitin 2022, trofeu i parë europian në historinë e klubit italian.
Roma i ka uruar suksese mbrojtësit shqiptar për të ardhmen, ndërsa Kumbulla tashmë do të kërkojë të rilindë në kampionatin spanjoll, pas një periudhe të vështirë të shoqëruar edhe nga dëmtime që ndikuan në minutat e tij në kryeqytetin italian.
KOHA JONË SONDAZH

