Ronaldo i jep fund spekulimeve: Do të vazhdoj të luaj për Al Nassr

Cristiano Ronaldo ka fituar për herë të dytë në karrierën e tij Ligën e Kombeve, duke shënuar edhe një gol në finalen emocionuese kundër Spanjës, e cila u vendos pas goditjeve të penalltive në Mynih. Pas ndeshjes, ylli portugez, tashmë 40 vjeç, ka konfirmuar se do të vazhdojë të luajë për klubin saudit Al-Nassr, duke hedhur poshtë çdo dyshim mbi të ardhmen e tij.
Synimi i Ronaldos është i qartë: të arrijë kuotën historike prej 1000 golash në karrierë, të vazhdojë të fitojë trofe dhe të mbetet një ikonë për tifozët në mbarë botën. Para finales, ai kishte lënë të kuptohej se nuk do të marrë pjesë në edicionin e ri të Kupës së Botës për Klube, pavarësisht ofertave të shumta.
Në zonën e përzier pas finales së Nations League, ku shënoi golin e tij të 939-të në karrierë, Ronaldo i dha fund spekulimeve: “Praktikisht nuk ndryshon asgjë,” tha ai. Kur u pyet nëse do të vazhdojë me Al-Nassr, ai u përgjigj shkurt: “Po.”
Largimi nga futbolli nuk është ende në horizont për CR7, përveç nëse ndodh një dëmtim i rëndë: “E dini sa vjeç jam, jam më afër fundit se fillimit, por dua të shijoj çdo moment. Nëse nuk pësoj ndonjë dëmtim serioz, do të vazhdoj.”