Ronaldo jep miratimin për Edin Dzekon, por Roma bëhet pengesë
Juventus ka vendosur si objektiv primar për sulmin, Edin Dzekon. Bomberi i skuadrës së Romës shihet si sulmuesi ideal për të mbështetur Ronaldon në fazën e avancuar. Boshnjaku është mjaft i fortë në luftën në ajër, di të ulë topa për shokët, por mbi të gjitha del shpesh nga zona, duke tërhequr pas vetes qendërmbrojtësit kundërshtarë dhe duke krijuar hapësira për shokët e skuadrës.
Plani i Pirlos është që të luajë me një rreshtim 4-3-3 dhe në vijën e parë të sulmit të aktivizojë treshen Ronaldo-Dzeko-Dybala, me argjentinasin e portugezin që do të nisen nga krahët, por me lejen për t’u futur shpesh në zonë dhe për të përfituar nga hapësirat që do t’u krijojë boshnjaku.
Presidenti i ri i verdhekuqve ka deklaruar se nuk do të lejojë largimin e sulmuesit boshnjak, por te Roma janë të bindur se kanë në dorë një shans të artë për të arkëtuar rreth 15 milionë euro për një 34-vjeçar, që për më tepër është më i paguari në ekip.
Pikërisht për këtë arsye, njerëzit e merkatos te Roma kanë nisur të punojnë në heshtje për të transferuar në kryeqytet sulmuesin polak Arkadiuz Milik, i cili duket i destinuar për të lënë Napolin, ku i ka mbetur vetëm një vit kontratë.