Ronaldo përmbys Interin në Kupën e Italisë dhe çon Juven pranë finales (VIDEO)

Juventus hedh një hap drejt finales së Kupës së Italisë. Bardhezinjtë kanë fituar 2-1 me përmbysje në derbin e parë të luajtur në “San Siro” ndaj Interit. Ishte një sfidë me një ritëm të çmendur që do të zhbllokohej shumë shpejt. Në minutën e 9-të, Lautaro Martinez arrin që të konkretizojë më së miri një pasim të Barellas.

Juventus u kundërpërgjigj shumë shpejt, teksa në minutën e 26-të, Cuadrado fitoi një penallti, që do të kthehej në gol nga Ronaldo. 9 minuta më pas portugezi do të bëhej sërish protagonist duke i rrëmbyer një top Bastonit dhe më pas duke e dërguar në portën e boshatisur pas daljes së Handanovic.

Interi përpiqet me të gjitha mënyrat që të gjejë golin e barazimit, por e ka të vështirë në mbrojtjen torineze, teksa De Ligt dhe Demiral ishin në një mbrëmje fantastike. Turku madje shpëtoi në një rast një gol të sigurt. Gjysmëfinalja e kthimit do të luhet pas një jave në Torino, teksa zikaltrit duhet të fitojnë me diferencë dy golash, ose të shkojnë në shtesë me një fitore 2-1. /R.Lika-Koha Jone/

NDESHJA E PLOTE

SHKARKO APP