Ronaldo zbulon prapaskenat me Messin: I përktheja anglishten dhe ndihmonim njëri-tjetrin!
Cristiano Ronaldo ka zbuluar detaje interesante nga marrëdhënia e tij me Lionel Messin, duke treguar se rivaliteti mes tyre nuk e ka penguar kurrë respektin dhe raportet e mira jashtë fushës së lojës.
Në një intervistë për CNN Portugal, ylli portugez foli për periudhën 15-vjeçare gjatë së cilës ai dhe argjentinasi dominuan futbollin botëror, duke ndarë skenën në ceremonitë më të rëndësishme dhe duke nxitur një rivalitet që ka mbetur historik.
“Ne e ndamë skenën e çmimeve për 15 vjet dhe gjithmonë kemi pasur marrëdhënie shumë të mira”, rrëfeu Ronaldo.
Sulmuesi i Al Nassr kujtoi edhe një episod interesant, kur kishte ndihmuar Messin të kuptonte atë që i thuhej në anglisht gjatë ceremonive dhe intervistave.
“Mbaj mend një ose dy raste kur i përktheja atë që i thoshin në anglisht. I tregonin se duhej të qëndronte aty ose se do t’i bënin një pyetje, ndërsa unë ia shpjegoja. Ishte diçka argëtuese”, tregoi portugezi.
Ronaldo theksoi se të dy kanë mbrojtur gjithmonë ngjyrat e klubeve dhe kombëtareve të tyre, por njëkohësisht kanë shërbyer si motivim për njëri-tjetrin.
“Messi më ka trajtuar gjithmonë mirë. Ai mbronte klubin dhe kombëtaren e tij, ndërsa unë bëja të njëjtën gjë për të miat. Kishte vite kur ai dëshironte të jepte gjithçka dhe të shënonte, ashtu siç dëshiroja edhe unë”, u shpreh pesë herë fituesi i Topit të Artë.
Duke folur për rivalitetin mes tyre, Ronaldo e krahasoi atë me duelin legjendar mes pilotëve të Formula 1, Ayrton Senna dhe Alain Prost.
“Ishte një rivalitet i shëndetshëm. Besoj se e motivonim njëri-tjetrin”, deklaroi ai.
Megjithatë, Ronaldo nuk pranoi të vinte në dyshim cilësitë e tij në debatin për futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave.
“Të preferosh Messin, Pelén apo Maradonën është çështje shijeje dhe unë e respektoj këtë. Por të thuash se Cristiano nuk është një futbollist i kompletuar, është gënjeshtër”, përfundoi portugezi.
PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?
Results
Vota totale: 10043

