
Legjenda e “Djajve të Kuq” nuk i ka kursyer kritikat ndaj futbollistëve pas krizës së rezultateve. Humbja 3-0 ndaj Bournemouth në “Old Trafford” dhe seria prej tetë ndeshjesh pa fitore kanë shtuar presionin mbi skuadrën dhe trajnerin Michael Carrick.
Wayne Rooney ka shpërthyer ndaj lojtarëve të Manchester United, duke kritikuar ashpër mungesën e angazhimit dhe luftës në fushën e lojës. Ish-kapiteni i klubit anglez nuk i ka fshehur emocionet pas rezultateve të fundit zhgënjyese të skuadrës.
United pësoi një humbje 4-1 ndaj Comos javën e kaluar, përpara se të mposhtej 3-0 nga Bournemouth në shtëpi të dielën. Pas këtij rezultati, tifozët shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj futbollistëve, ndërsa skuadra po kalon një periudhë të vështirë, me tetë ndeshje radhazi pa fitore.
Duke folur në emisionin “Stick to United”, Rooney vuri në pikëpyetje përkushtimin e lojtarëve dhe mënyrën se si ata po e përfaqësojnë fanellën e klubit.
“Unë isha një lojtar që mund të shënonte gola dhe kishte cilësi, por të paktën vrapoja, punoja fort dhe jepja gjithçka për ekipin, edhe kur gjërat shkonin keq. Këta lojtarë nuk po e bëjnë këtë”, deklaroi ai.
Rooney u shpreh se do të dëshironte të hynte në dhomën e zhveshjes për t’u kërkuar llogari futbollistëve.
“Do të doja të hyja në atë dhomë zhveshjeje, t’i ulja të gjithë dhe t’i pyesja: Çfarë dreqin po bëni? Çfarë lloj paraqitjeje mendoni se është kjo? A mendoni se e meritoni ta vishni atë fanellë, duke parë mënyrën si lëvizni në fushë?”, u shpreh ish-sulmuesi.
Ndërkohë, rezultatet e dobëta kanë shtuar pikëpyetjet për të ardhmen e Michael Carrick në stolin e Manchester United. Drejtuesit e klubit, sipas raportimeve, i kanë dhënë trajnerit një mundësi të fundit për të përmirësuar situatën.
