Rrëfimi i Giggs: Zanetti më theu hundën, Ronaldo lojtari më i mirë me të cilin kam luajtur!

Ryan Giggs është një legjendë e vërtetë te Manchester United. Ish mesfushori dhe trajneri aktual i Uellsit ka luajtur gjithë karrierën me fanellën e “Djajve të Kuq”, me pothuajse 700 ndeshje e duke fituar gjithçka.

Në një intervistë për mikrofonat e televizionit zyrtar të klubit anglez, ish-mesfushori i Sir Alex Ferguson lartësoi ish-mbrojtësin e Interit, Javier Zanetti dhe yllin aktual të Juventusit, Cristiano Ronaldo. Nëse i pari ishte kundërshtari më i ashpër për tu përballuar, ky i fundit u zgjodh nga Giggs si shoku më i mirë i skuadrës.

Për Ryan Giggs nuk ka asnjë dyshim: Javier Zanetti ishte kundërshtari më i ashpër me të cilin është sfiduar në karrierën e tij. Argjentinasi gjithmonë i ka bërë përshtypje uellsianit në fushë si kundërshtar: “Ai do të kishte vrapuar gjithë ditën. Kishte këmbët e një mesfushori dhe ishte i qetë me topin, ndërkohë që në mbrojtje ishte shumë i ashpër”.

Giggs në veçanti kujtoi një përballje midis Manchester United dhe Interit në Ligën e Kampionëve të sezonit 1998/1999, kur argjentinasi i la shenjë gjatë një dueli. “Në atë ndeshje ai me të vërtetë ma theu hundën me një bërryl. Zanetti kishte gjithçka për një mbrojtës, ai është padyshim kundërshtari më i mirë ndaj të cilit kam luajtur ”.

Nga kundërshtarët tek shokët e skuadrës. Ryan Giggs ndau dhomat e zhveshjes edhe me kampionë për të cilët nuk i kursen fjalët e mira: “Lojtari më i mirë me të cilin kam luajtur, ishte Cristiano Ronaldo. Portugezi ishte fantastik në Angli dhe e tregoi diçka të tillë edhe në vende të tjera”.

Giggs nuk harron as Paul Scholes, një tjetër futbollist i “gjeneratës së fenomeneve” të ngritur nga Sir Alex Ferguson: “Truri i Paul ishte më i shpejtë se i gjithë të tjerëve. Kur mendon se ja ke vjedhur topin, ai tashmë e ka marrë dhe e ka zhdukur”. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP