Rrëfimi i Maignan për Igli Taren që trondit Milanin
Te Milani po zhvillohet një fazë ndryshimesh të thella, si në strukturën drejtuese ashtu edhe në aspektin teknik, gjë që ka nisur të ndikojë edhe te lojtarët kryesorë të skuadrës, të cilët po rishikojnë të ardhmen e tyre në klub.
Një nga emrat më të përfolur është portieri francez Mike Maignan, i cili më parë ka qenë i lidhur ngushtë me drejtuesit e vjetër të klubit dhe projektin e tyre sportiv. Sipas raportimeve të “Corriere della Sera”, në fund të sezonit të kaluar Maignan i ishte shprehur ish-drejtorit sportiv Igli Tare se vendimi për të rinovuar kontratën me Milanin kishte ardhur pasi ai e konsideronte atë dhe trajnerin Max Allegri si garanci të stabilitetit të projektit.
Megjithatë, me ndryshimet e fundit në klub dhe largimin e atyre figurave që ai i shihte si kyçe, situata e portierit francez është bërë më e paqartë. Kjo ka sjellë edhe pasiguri për të ardhmen e tij, pavarësisht se pak muaj më parë ai firmosi zgjatjen e kontratës deri në vitin 2031, me një pagë që shkon deri në rreth 7 milionë euro në vit.
Këto zhvillime kanë krijuar pakënaqësi te Maignan, duke hapur diskutime për një largim të mundshëm në të ardhmen, ndonëse ende nuk ka vendime përfundimtare. Gjithçka do të varet nga drejtuesit e rinj të Milanit dhe nga trajneri që do të zgjidhet për projektin e ri sportiv.
Në këtë situatë të paqëndrueshme, disa klube të mëdha europiane kanë filluar të monitorojnë situatën e tij. Mes tyre përmendet Chelsea, që ka shfaqur interes të mëparshëm për portierin francez, si dhe Juventusi, i cili po kërkon një portier të ri për të forcuar skuadrën.
Megjithatë, Milani mbetet në një pozicion të fortë negociues, falë kontratës afatgjatë të Maignan, dhe nuk pritet të bëjë lëshime të lehta në rast të një oferte për të.
KOHA JONË SONDAZH

