Rumenigge: Arturo Vidal është lojtar i Bayern
Arturo Vidal do të luajë me fanellën e Bayernit të Mynihut duke filluar që prej sezonit të ri. Shefi ekzekutiv i Bayernit të Mynihut, Karl Hainz Rummenigge konfirmon se klubi gjerman dhe Juventusi kanë gjetur gjihën e përbashkët për transferimin e mesfushorit kilian në “Allianz Arena”. “Mund ta konfirmoj se ka një marrëveshje mes dy klubeve dhe tashmë mungojnë vetëm kontrollet mjekësore. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, javën e ardhshme Vidal do të bashkohet me grupin”, shkruan zyrtari i kampionëve të Gjermanisë në faqen e tij në Twitter.
Tashmë rruga për largimin e kilianit nga Torino duket e lirë dhe Bayerni i Mynihut ka arritur të bëjë një goditje të madhe në merkato pasi Vidal ishte një prej lojtarëve më të kërkuar nga skuadrat e mëdha europiane me Realin e Madridit në krye të listës. 27-vjeçari rikthehet në Gjermani pas 4 viteve pasi në periudhën 2007-2011 ai ka qenë pjesë e Bayer Leverkusen. Edhe gjatë vitit 2011 Bayerni shfaqi interes për të, por mesfushori zgjodhi fanellën bardhezi duke ngjallur zemërimin e Rummenigges, i cili adresoi fjalë të rënda në drejtim të lojtarit. Gjithsesi, kohët kalojnë dhe duket se numri 2 i klubit ka bërë një hap pas duke ndezur dritën jeshile për afrimin e Vidal që mund të jetë edhe blerja e fundit në merkaton e verës pas afrimeve të Douglas Costa, Sven Ulreich e Joshua Kimmich.
KOHA JONË SONDAZH

