Sabjen Lilaj ikën nga Skënderbeu, zgjedh mes Sherif Tiraspol dhe Banik Ostrava
Gjatë merkatos së verës, Sabjen Lilaj, u prezantua me një ekip polak, por u rikthyer tek Skënderbeu pasi ishte ende në kontratë. Në fund të merkatos së dimrit, drejtuesit e Skënderbeut nuk kanë ndërmend të pengojnë mesfushorin e talentuar, që ka marrë dy oferta nga jashtë. Bëhet fjalë për ekipe si Sherif Tiraspol në Moldavi dhe Banik Ostrava në Çeki. Të dy ofertat janë joshëse dhe për këtë arsye, Lilaj ka kërkuar largimin nga radhët e Skënderbeut. Teksa pritet të zgjedhë njërën prej tyre, ku më e mundshme është ajo çeke, me largimin e Lilaj, që ka marrë “ok” e presidentit Ardian Takaj, Skënderbeu kërkon të gjejë një mesfushor tjetër. Në ditët e mbetura të merkatos së dimrit katër herë kampionët e Shqipërisë në katër edicionet e fundit synojnë edhe një blerje tjetër cilësore për të pretenduar suksesin e radhës. Skënderbeu e fitoi në Elbasan ndeshjen e parë të këtij viti 1-4 dhe mban vendin e dytë. Të shtunën, 31 janar, të besuarit e Mirel Josës do të presin në fushën e tyre ekipin e Laçit. Kjo ndeshje do të luhet në ora 14:00, ku vendasit synojnë të sigurojnë fitoren e dytë radhazi.
KOHA JONË SONDAZH

