Sadiku zyrtarizon largimin nga skuadra e Malagës, ja mesazhi për shokët
Armando Sadikut mbyll pas një viti aventurën te Malaga. Me përfundimin e sezonit në Segunda Division, përfundoi edhe periudha e huazimit e sulmuesit shqiptar te skuadra andaluziane, me Sadikun që tashmë do të kthehet te Levante pasi ka edhe një vit kontratë me klubin nga qyteti i Valencias.
Sadiku zhvilloi një sezon pozitiv në radhët e Malaga, teksa arriti të siguronte mbijetesën në Segunda Division. Ai falënderoi klubin dhe shokët e ekipit.
“Dje kemi përfunduar një sezon të vështirë, por të bukur. Realizuam objektivin final dhe vuajtëm për ta arritur atë. Malaga do të vazhdojë edhe një vit luftën në ligën e dytë, për t’u rikthyer atë ky e meriton ky klub, në La Liga. Dua të falënderoj tifozët tanë që na kanë brohoritur dhe na kanë ndihmuar të shpëtojmë prej rënies nga kategoria. Që ditën e parë që shkova në ‘La Roselada’ kam ndjerë një ndjenjë të veçantë.
Falënderoj gjithashtu shokët e skuadrës, të cilët më kanë ndihmuar të shënoj 13 gola dhe që të jem i lumtur duke luajtur pas muajve të vështirë. Falënderoj të gjithë njerëzit në klub, të cilët më kanë mbështetur që ditën e parë që kam mbërritur. Tani është koha për të pushuar dhe për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm”, shkruan Sadiku në llogarinë e tij në “Instagram”.