“Santiago Bernabeo” sonte mban “frymën”, Manchester City sfidon Realin e rekordeve
Champions League mbrëmjen e sotme rezervon një ndeshje spektakolare, gjysmëfinalen mes Real Madridit dhe Manchester City-it. Në “Santiago Bernabeo”, skuadra merengues do të tentojë që të vijojë hegjemoninë në kompeticionin që prej vitesh e ka kthyer në dominim absolut.
Nga ana tjetër Pep Guardiola e ka cilësuar si “gabim të madh” nëse City do të kërkojë hakmarrje ndaj Realit. Kujtojmë që sezonin e kaluar, skuadra e Gardiolës fitoi 4-3 ndeshjen e parë që u luajt në “Etihad”, por më pas do të mundej 3-1 në Madrid. Strategu spanjoll e di mjaft mirë eksperiencën që ka ekipi i Ancelottit ndaj dhe kërkon përqendrim maksimal në 90 minutat e para që mund të vendosin shumë.
“Haaland është shumë i rrezikshëm, ka cilësi mbresëlënëse si golashënues. Megjithatë, nuk është vetëm ai, City është një ekip i madh. Ne nuk duhet të luajmë një lojë për të ndaluar Haaland, por duhet të ndalojmë një ekip që duket i pandalshëm“, deklaroi Ancelotti para ndeshjes.
“Qëllimi ynë është të performojmë në mënyrë të vazhdueshme, t’i afrohemi sa më shumë që të jetë e mundur fitimit të trofeut dhe në fund do t’ia dalim. Nëse përgatiteni për sezonin vetëm me Champions në mendje, atëherë, pasi keni pësuar një humbje në të, nuk do të mbeteni pa asgjë, sepse Real Madrid pothuajse gjithmonë e fiton këtë turne”, tha ndërkohë Guardiola.
City kërkon të fitojë tripletën këtë sezon, një arritje që në futbollin anglez më parë është bërë vetëm nga Manchester United në sezonin 1998-99. Erling Haaland është pika më e fortë e skuadrës angleze, pasi bomberi norvegjez ka shënuar 51 gola në 46 ndeshje, duke përfshirë 12 prej tyre në Champions League.
Sa i përket formacioneve, te Reali do të rikthehet Luka Modrid, i cili mungonte prej disa ditësh me skuadrën dhe vetëm në ditët e fundit ka qenë pjesë e seancave stërvitore. Ancelotti ka konfirmuar se ai mund të zbresë rregullisht në fushë. Nga ana tjetër te City mund të ketë një mungesë të madhe. Bëhet fjalë për Nathan Ake, i cili nuk ka marrë pjesë në seancën e së hënës, dhe është në dyshim për mbrëmjen e sotme. Ai ka qenë i jashtëzakonshëm në krahun e majtë pas largimit të Cancelos te Bayerni.
Koeficientët
Manchester City është favorit në këtë ndeshje, teksa sipas kuotave të basteve fitorja e skuadrës angleze është 2.10 ndërkohë që një sukses i kampionëve në fuqi kuotohet 3.20. Barazimi ka koeficientin 3.70.
Formacionet e mundshme
/R.Lika-Koha Jonë/