Scaloni para sfidës me Austrinë: Dua vetëm që Messi të jetë i lumtur!
Argjentina po përgatitet për përballjen e rëndësishme ndaj Austrisë në Kupën e Botës 2026, pas fitores bindëse 3-0 ndaj Algjerisë në ndeshjen e parë të grupit. Në prag të takimit, trajneri i kampionëve të botës, Lionel Scaloni, foli për gjendjen e skuadrës, kundërshtarin e radhës dhe, natyrisht, për kapitenin Lionel Messi, i cili të mërkurën feston 39-vjetorin e lindjes.
Scaloni konfirmoi se skuadra ka marrë lajme pozitive nga infermieria, pasi Leandro Paredes, Gonzalo Montiel dhe Nicolas Tagliafico janë rikuperuar dhe janë të gatshëm për ndeshjen. Sa i përket Austrisë, tekniku argjentinas paralajmëroi se përballja nuk do të jetë aspak e lehtë.
“Austria është një kundërshtar shumë i fortë. Ka lojtarë cilësorë, ushtron presion të lartë dhe luan futboll direkt. Ata zhvilluan një fushatë shumë të mirë në eliminatore dhe do të jetë një ndeshje e vështirë. Të dyja skuadrat e nisën Botërorin me fitore dhe kjo mund ta bëjë spektaklin edhe më interesant”, deklaroi ai.
Scaloni theksoi gjithashtu se ky Botëror ka treguar se nuk ekzistojnë ndeshje të lehta: “Ajo që po shohim në këtë Kupë Bote është se çdo ndeshje është e komplikuar. Faza e grupeve ka qenë gjithmonë e vështirë, por këtë herë duket edhe më sfiduese për shkak të numrit më të madh të ndeshjeve”, u shpreh trajneri.
Një moment emocionues gjatë konferencës ishte kujtimi i golave legjendarë të Diego Maradona kundër Anglisë në Botërorin e vitit 1986.
“Isha në shtëpinë e gjyshes sime duke e parë atë ndeshje në një televizor shumë të vogël. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Kur të shohim sërish ato pamje, ndoshta do të na rrjedhë edhe ndonjë lot”, tha Scaloni.
Në fund, trajneri u pyet se çfarë i uron Messit për ditëlindjen e tij të 39-të. Përgjigjja ishte e thjeshtë dhe plot domethënie.
“Ajo që besoj se duam të gjithë: që ai të jetë i lumtur. Mendonit se do të thosha diçka tjetër? Vetëm të jetë i lumtur”, përfundoi Scaloni.
KOHA JONË SONDAZH

