Sebino Plaku në stërvitje me Tiranën, Magani do me çdo kusht fitore ndaj Partizanit
Tirana ka nisur javën e derbit me seancën e parë stërvitore pas suksesit ndaj Laçit në sfidën e vlefshme për javën e 32-të të Kategorisë Superiore. Para fillimit të kësaj seance skuadra është rreshtuar përpara trajnerit Gugash Magani, i cili ka bërë një analizë të shkurtër duke i kujtuar futbollistëve rëndësinë e kësaj sfide, jo vetëm për historinë që përfaqëson, por edhe për fatet e titullit kampion. Ajo që ka rënë në sy ishte serioziteti i futbollistëve, të cilët kanë harruar fitoren e fundit, 1-0, ndaj Laçit për të përgatitur një tjetër finale, atë ndaj Partizanit. Numri një i stolit të 24 herë kampionëve nuk ka pasur të plotë grupin e futbollistëve. Dëmtimit të Gjergji Muzakës iu bashkua edhe kapiteni Ervin Bulku, që nuk mori pjesë në këtë seancë stërvitore për shkak të disa shqetësimeve muskulare. Për të mos përkeqësuar më tej gjendjen, Magani vendosi të lërë pushim kapitenin që pritet t’i bashkohet grupit në seancat e ardhshme stërvitore.
Sebino Plaku
Sulmuesi Sebino Plaku i është bashkuar bardhebluve në stërvitje. Ish-sulmuesi 30 vjeçar i Skënderbeut luajti dy sezonet e fundit në Poloni dhe i ka dhënë fund aventurës së tij me polakët. Ashtu si dhe qendërmbrojtësi Ditmar Bici, që stërvitet me bardheblutë, edhe ai vendosi t’i bashkohej Tiranës për të ruajtur formën fizike. Gjithsesi, nëse Tirana shpallet kampione apo fiton të drejtën e pjesëmarrjes në Kupat e Europës, të dy këta lojtarë shihen së mundësi e mirë për përforcimin e ekipit. Presidenti Refik Halili duke i ditur vlerat e secilit prej tyre nuk ka pse të mendohet dy herë apo të gjurmojë në merkato. Sebino Plaku dhe Ditmar Bici mund të quhen dy përforcimet e Tiranës, të paktën për ndeshjet e Kupave të Europës.
Titulli kampion
Tifozët e Tiranës duan titullin kampion. Presidenti Refik Halili ka investuar pas gjashtë sezoneve për një ekip vërtet cilësor, që në fund të garës nuk do të ishte çudi të ngrite trofeun lart. Tirana, kur mbeten edhe 4 javë deri në mbyllje, ndodhet vetëm 3 pikë larg kreut, por ka tre pikë më tepër se Partizani dhe përballja direkte me të në derbi, të hënën ora 20:45, mund të jetë vendimtare. Halili po planifikon një shpërblim për ekipin në rast fitoreje ndaj Partizanit, pasi deri në fund, nëse nuk arrihet titulli, 24 –herë kampionët e vendit do të kenë të sigurtë pjesëmarrjen në Europa League. Drejtori sportiv i Tiranës, Devi Muka ka ndjekur seancat e fundit stërvitore, duke i dhënë këshilla dhe mbështetje lojtarëve. Ish-kapiteni i Tiranës, Muka, e ka fituar disa herë titullin kampion gjatë karrierës së tij, sukses që i mungon bardhebluve prej 6 sezonesh.
KOHA JONË SONDAZH

